Kishte prenotuar fluturimin për në Romë, por shkallë avioni nuk do t’i ngjiste kurrë për atë destinacion, pasi braziliani i Bordosë, Malkom, ka zgjedhur… Barcelonën, në sajë të autorizimit që francezët anuluan për shitjen te verdhekuqtë, pasi oferta katalanase “blitz” ishte më e mirë.
Një çështje që u ndez ditën e djeshme, por që sot, drejtori sportiv i Romës, Monçi, ka sqaruar kështu: “Ajo që ndodhi me Malkom është e lehtë të shpjegohet, por e ndërlikuar të kuptohet: ne na pëlqente shumë, ishte profili që po kërkonim dhe nisëm tratativën me Bordo dhe agjentin e lojtarit një javë më parë”.
“Pas 3-4 ditësh punë intensive, gjetëm akordin dje rreth orës 17:00, me futbollistin dhe klubin: akord i arritur dhe autorizimi i Bordosë që ai të vinte në Rome në mbrëmje dhe të kryente më pas vizitat.
Ishte gjithçka e kryer, por sapo gjetëm akordin me Bordo, më mori presidenti i tyre, gjysmë ore më vonë, duke më thënë se do të ishte më mirë të dilnim me komunikata zyrtare, duke parë zërat e shumtë: i thashë se për ne ishte maksimumi, pasi kuotohemi në bursë. Ata bënë komunikatën e parë, ne i ndoqëm”.
Gjithçka e kryer? Aspak, me detaje të reja: “Një orë pasi doli komunikata, xhiruan zëra për një interesim të Barcelonës: e dija që kishte shumë ekipe pas tij, përfshirë edhe Barcelona, ndaj përshpejtuam.
Surpriza e madhe erdhi kur një nga agjentët e tij më tha se Bordo kishte anuluar udhëtimin e lojtarit dhe se Barcelona kishte bërë një ofertë më të lartë dhe nëse nuk do të rrisnim ofertën, nuk do të mund të merrnim lojtarin”.
“I thashë se kemi një akord dhe gjithçka ishte mbyllur, duke dërguar dokumentet. Ai më tha: nuk kam çfarë të bëj!”.
Dhe kështu, erdhi rritja e ofertës: “Në atë pikë, i telefonova Palotës dhe ai më tha të bënim një ofertë më të lartë se Barcelona, kundër opinionit tim, sepse nuk mendoj se do të ishte e drejtë karshi nesh: por, ai këmbënguli, kështu lajmërova agjentët dhe presidentin për t’i bërë ofertë më të lartë se Barcelona dhe presidenti më tha se i duheshin dokumente të firmosura brenda orës 23:00 me ofertën e re.
Kështu, më premtuan se do të më nisnin edhe ato në kohë dokumentet dhe kështu djaloshi do të udhëtonte për në Romë”.
“Sot në mëngjes, fola me agjentin dhe më tha se do të kishte takim në 11:00 me Bordo për të konfirmuar. Madje, premtoi se do të niseshin për në Romë: pas orës 12:00, më thanë se duhej një tjetër ofertë, pasi Barcelona kishte shtyrë më shumë”.
“Në atë pikë thashë mjaft, nuk doja të hapej një ankand: e rritëm ofetën sepse donte Palota, por të vazhdonim në këtë rrugë jo. Dhe, u ndaluam”.
Ndaloi oferta, por jo “inati” ndaj Bordosë për këtë sjellje: “Tani po vlerësojmë me klubin për një padi ligjore: e vërtetë që nuk kemi dokumente të firmosura, por kam shumë mesazhe të agjentëve dhe presidentit. Tifozëve u kërkoj falje dhe më vjen keq. Do të vazhdojmë të kërkojmë një lojtar tjetër me ato karakteristika dhe që të jetë edhe më i fortë se Malkom. Nuk doja të merrja pjesë në ankand dhe bëmë maksimumin. Kush do të vijë te Roma mirë, kush nuk do, nuk ka gjë”.