Milani kthehet në Europa League! Klubi kuqezi ka fituar betejën me UEFA-n, sepse CAS ka anuluar vendimin për përjashtimin e klubit kuqezi nga kupat e Europës për një sezon.
CAS ka urdhëruar UEFA-n që ta rishqyrtojë çështjen dhe të japë një vendim më të butë ndaj Milanit, që do të thotë se tashmë pritet e shumta gjobë, ose kufizime në listat e lojtarëve të regjistruar në UEFA. Përveç kësaj, natyrisht Milani do të ketë detyrimin që urgjentisht të rregullojë bilancet dhe të evitojë humbjet në bilanc në sezonet e ardhshëm, çka nënkupton shitjen e ndonjë lojtari që ka treg. Bonuçi vlen 50 milionë euro sipas Milanit, por nuk përjashtohet shitja e portierit Donaruma apo Susos.
Sipas SkySport, vendimtare ka qenë prania e përfaqësuesve të grupit Elliott, që ka garantuar soliditetin financiar të Milanit për të tashmen dhe të ardhmen. Në këtë mënyrë, Milani fiton një betejë që pastron imazhin, por nuk duhet harruar se pjesëmarrja në Europa League nënkupton edhe 10-50 milionë euro, në varësi të ecurisë së kuqezinjve.
Pas pak pritet komunikata zyrtare nga CAS dhe nga UEFA.