Horge Sampaoli dështoi, Argjentina e tij nuk u bë asnjëherë realisht e tij dhe loja që ai kishte në mendje nuk u pa kurrë. Trajneri i Argjentinës do të qëndrojë në drejtim edhe pak koh, sepse ka një kontratë milionere, por realisht është një armik në Argjentinë dhe nuk ka asnjë mik as në federatë e aq më shumë në skuadër, ndërkohë që është ndarë edhe nga ish-miku i tij Sebastian Bekaçeçe, ndihmës i tij në periudhën e artë në Kili, por edhe në periudhën e zezë me Argjentinën.
Nga Argjentina, e përditshmja Clarin tregon historinë e prishjes së marrëdhënieve të trajnerit me skuadrën, aq sa Botërori u mbyll me nerva, tension e akuza.
Federata Argjentinase nuk e kishte me sy të mirë rolin e rëndësishëm që kishte në staf Sebastian Bekaçeçe, ndaj vendosi të përfshinte në stafin drejtues edhe një emër të njohur si Pablo Aimar, mik me shumë futbollistë. Gjithsesi, më pas nuk u bë asgjë, sepse Aimar preferoi të qëndronte në Buenos Aires dhe federata nuk deshi të acaronte marrëdhëniet me Sampaolin.
Kriza nisi kur Bekaçeçe bëri atë që dinte të bënte më mirë, të shpjegonte pa fun skemat dhe lëvizjet, duke marrë rol të rëndësishëm në stërvitje, por duke e kaluar limitin sipas lojtarëve. Në një stërvitje në Mançester, Bekaçeçe i tha Mesit: “Jo, ashtu e ke gabim. Duhet ta bësh në të kundërt”, duke i vënë edhe dorën mbi shpatulla, gjest që e acaroi ndjeshëm Mesin, i cili më vonë e shprehu hapur zemërimin e tij.
Vetë Sampaoli ishte shumë i kujdesshëm, e trajtonte shumë mirë Mesin: “Skuadra është më shumë e Mesit sesa e imja. Ai sheh gjëra që qeniet normale nuk i shohin”. Por, pytja që lind është: deri në ç’pikë ishte kombëtarja e Mesit dhe si?
Një burim brenda ekipit kombëtar, pranë trajnerit, tha për gazetarët e Clarin në konfidencë: “Shikoni, unë po u jap një të dhënë. Nëse shhni diçka që duket e konfirmuar dhe më pas ndryshon papritur, kjo ndodh se ashtu tha Mesi”.
Pse dy titullarë të kombëtares në teori, Federiko Fazio dhe Xhovani Lo Celso, në Rusi nuk e panë thuajse fare fushën? Sipas burimeve brenda stafit të kombëtares, përgjegësia ishte e Mesit: pas përballjes kundër Romës Mesi nuk e kishte pëlqyer mënyrën e lojës së Fazios, ndërsa pasimet e Lo Celsos nuk i përshtateshin lojës së tij. Ka edhe version më absurd: Lo Celso e mundi lehtësisht në futboll-tenis Mesin dhe në stërvitje i kaloi topin mes shalëve, çka e tërboi Pleshtin, por teori të tilla lojtarët e Argjentinës i mohojnë me vendosmëri.
Askush nuk e di sa peshë kishte Mesi në vendimet e trajnerit dhe sa varej Sampaoli nga këshillat e tij, por është e qartë që me kalimin e ndeshjeve në Botëror ndikimi i Mesit dhe Masçeranos erdhi duke u rritur, duke detyruar Sampaolin të ndryshonte gjithçka pas disfatës ndaj Kroacisë.
Me një Sampaoli konfuz, që nuk dinte ç’të bënte as gjatë ndeshjeve, ishin pikërisht senatorët e Argjentinës atë që morën situatën në dorë dhe u kthyen në formacion Banega, Di Maria e Roho, ata që u lanë jashtë pas barazimit ndaj Islandës. Ishin ditë të çmendura, aq sa flitej se lojtarët i kishin kërkuar federatës që ta vazhdonin Botërorin pa trajnerin Sampaoli, por është një version që nuk e konfirmon askush.
Edhe kundër Francës formacioni me Mesin si falso 9, pa Agueron apo Higuainin në sulm, ishte një zgjedhje e Sampaolit, që nuk i bindi lojtarët, ndërkohë që Aguero nuk e fshehu nervozizmin.
Autoritet i Sampaolit pati rënie të theksuar kur trajneri u grind me ndihmësin Bekaçeçe në mes të stërvitjes, aq sa u desh të ndërhynte Masçerano për të qetësuar situatën. Nuk ishte grindja e parë, kishte kohë që dy trajnerët ziheshin për gjithçka, edhe për skemën, edhe për ndërrimet, aq sa pas humbjes ndaj Kroacisë në dhomat e zhveshjes për pak sa nuk fluturuan grushtet mes tyre, por bashkëpunëtorët e stafit i ndanë.
Jo rastësisht, sapo përfundoi Botërori Bekaçeçe iku dhe firmosi për Defensa y Justicia, duke preferuar të ishte trajner i parë aty ku ishte si në shtëpi. Gjithë kjo situatë tensioni me Sampaolin u pasqyrua te skuadra, që nuk ishte e qetë dhe kishte edhe shumë probleme të tjera që e bënin të pamundur suksesin botëror. Nisi me probleme e me sherre, mbaroi po ashtu.