Prej një dekade Seria A ka pasur një rënie graduale, për faj të drejtimit të gabuar që mori futbolli italian, që nuk diti të ruante hapin e klubeve angleze, gjermane e spanjolle.
Në një kohë që në Angli mbi të gjitha, investonin pa fund te infrastruktura, duke hapur dyert për investitorët e huaj dhe duke e rritur futbollin në mënyrë të jashtëzakonshme, në Itali rrënimi ishte gradual dhe askush nuk e kuptoi çfarë po ndodhte duke gënjyer veten me Champions League fituar nga Milani e Interi, apo me finalet e humbura nga Juventusi.
Në fakt, klubi torinez kuptoi gjithçka me kohë, zbritja në Serinë B e zgjoi dhe më pas ndërtoi stadium e vet, supermodern. Më pas rritja erdhi graduale, derisa tani flasim për një klub që është vite drite larg rivalëve në Itali dhe për të fituar edhe në Europë merr një legjendë si Kristiano Ronaldo.
Është 33 vjeç, e çfarë pastaj? Ky është futbolli modern, edhe nëse blen një djalosh 23-vjeç gjasat janë që pas 2-3 vitesh të kërkojë largimin se i duhet motivim i ri, kujtoni Nejmar te PSG.
Ronaldo është një makinë perfekte, që do t’i ndryshojë imazhin gjithë Serisë A, jo vetëm Juventusit. Ka shënuar 105 gola në Champions, do të kushtojnë 105 milionë euro: në kohërat që po jetojmë, dukem si qindarka, a thua se po blen ndonjë Obamejang a Beloti.
Nëse luan në Europë me lojtarin më fitues të historisë së Realit, gjasat janë që Champions League të vijë në Torino, por mbi të gjitha tani e tutje mediat botërore dhe tifozët do të rikthejnë sytë nga Seria A, prej vitesh një imazh i zbehtë, pa shkëlqimin e zakonshëm të viteve ’90 e 2000.
Ndoshta ka ardhur momenti që edhe klubet e tjera të Serisë A ta kuptojnë se mungesa e parave është një justifikim i kotë, sepse siç tregon Juventusi, paraja prodhon para, jo më kot pa firmosur ende Ronaldo vlera e aksioneve të Juves në treg u rrit frikshëm.
Vetë Ronaldo mori vendimin e duhur: në Madrid fitoi gjithçka, shënoi pa fund, u bë legjendë. Ka fituar edhe në Angli, tani do të mundohet ta arrijë në Itali. Nëse fiton Champions me Juven, atëherë po, ai do të quhet më i madhi i të gjitha kohërave. Mjafton kaq për të thënë që Ronaldo bëri, si zakonisht, atë që duhej.