Avokatët garanci Skënderbut, seanca në CAS nga tetori në dhjetor

Vendimi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk ka ende një datë të saktë, por te Skënderbeu janë të bindur se ai do të jetë pozitv. Garancia për klubin është dhënë nga avokatët, pas bisedës me presidentin, Ardjan Takaj.

Përfaqësuesit ligjor të korçarëve janë shprehur se pas studimit me detaje të çështjes kanë përgatitur me detaje strategjinë e mbrojtjes. Sipas portalit “Korça Sot”, gjatë seancës ku do të thirren për të dëshmuar edhe pjesëtarë të klubit, do të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e UEFA-s, që sollën pezullimin e Skënderbeut për dhjetë edicione nga kupat e Europës dhe gjobën me vlerë një milion euro.

Në bisedën me presidentin Takaj, avokatët e studios ligjore zvicerane u shprehën të bindur se akuzat dhe dënimi janë të pabazuara, edhe se provat që do të paraqiten janë të pakundërshtueshme. Tashmë topi është në anën e avokatëve, ndërsa korçarët janë në pritje të vendimit.

Seanca e Skënderbeut kundër UEFA-s në CAS pritet të zhvillohet ndërmjet muajit tetor dhe dhjetor. Ndërkohë kampionët në fuqi janë të bindur se edhe në sezonin e ri do të kenë një ekip pretendent për titullin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *