Ish-kapiteni i Partizanit, Idriz Batha, u transferua në kampionatin grek të futbollit. Ai kaloi te skuadra e AE Larisa, madje u prezantua dhe nga grekët. Mesfushori mendon se me kalimin në kampionatin grek të futbollit ka bërë një tjetër hap përpara në karrierën e tij. 26-vjeçari pranon të flasë për “Sport Ekspres” në lidhje me kalimin e tij nga “demat” e kuq në një vend jo shumë miqësor me shqiptarët.
U transferuat te Larisa në kampionatin grek, a ishte ky objektivi yt madhor dhe si ndiheni?
Dua të sqaroj se akoma nuk është mbyllur çdo gjë. Kam për të bërë vizitat mjekësore dhe pastaj prezantimin. Kisha dëshirë të provoja një eksperiencë jashtë vendit. Shpresoj të më shkojë mbarë dhe të përfaqësoj veten dhe shqiptarët denjësisht. Isha unë që vendosa për kalimin në Greqi, pasi nuk kisha kontratë. Nuk më kanë munguar ofertat as vitet e tjera, por jam ende në kohë për të dhënë dhe mësuar më shumë. Jam 26 vjeç, mendoj se jam në moshën ideale për të luajtur futboll në nivele dhe më të larta.
Larisën do e përdorësh si trampolinë për të kapur ndonjë ekip më të mirë?
Si fillim dua të provoj veten jashtë Shqipërie. Të paraqitem sa më mirë dhe pse jo ta shoh dhe si trampolinë. Të gjithë futbollistët synojnë për më lart, asnjëherë nuk janë të kënaqur aty ku janë.
Çfarë pret nga aventura me ekipin grek?
Të them të drejtën akoma nuk jam ulur me drejtuesit e klubit të flasim për objektiva. Nuk e di as përbërjen e grupit dhe nivelin e skuadrës. Në këtë prizëm, nuk mund të flas se si do të shkojë mbarëvajtja e ekipit.
Për sa vite keni nënshkruar me Larisën?
Kontrata ime do të jetë 2 ose 3 vite. Nuk përbën asnjë problem për mua, për sa kohë që luan në një kampionat më të fortë dhe cilësor se kampionati shqiptar, pavarësisht se nuk dua të fyej futbollin tonë se kam luajtur vetë. Futbolli grek është më lart, plus unë kam futur një klauzolë në kontratë që nëse më vjen një mundësi më e mirë nuk do të kem probleme për t’u larguar.
A mund të futemi dhe në shifrat konkrete të pagesës?
Për të qenë i sinqertë nuk ishte primare pagesa apo sa do të fitoja, por më shumë për të gjetur një ekip që luan në nivele të larta dhe që është në vëmendjen e menaxherëve. Për t’i qëndruar pyetjes tuaj mund të them se është dyfishi i pagasës që përfitoja te Partizani.