Në Shqipëri ka plasur “bomba”, me Skënderbeun që do të dënohet rëndë nga UEFA për trukime ndeshjesh në periudhën 2010-2015.
Edhe në Kroaci lajmi ka bërë shumë bujë, edhe për faktin se në listën e ndeshjeve të trupuara ka përfunduar edhe një humbje e thellë e Skënderbeut me Dinamo Zagrebin.
Goal.com ka kontaktuar me Marko Radas, qendërmbrojtësin e Skënderbeut, i cili ka pranuar të flasë për këtë histori, në një moment që në histori është heshtje totale, pasi askush nuk di të thotë gjë, në pritje të vendimit final të UEFA-s.
“kështu dëgjova nga televizionet dje, ishte një lajm tronditës që mori dhenë, por ne nuk jemi përjashtuar ende, Skënderbeu nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për përjashtim 10-vjeçar nga kupat e Europës”.
Radas nuk e ka ende të saktë informacionin, sepse sërish ia vesh Federbetit fajin për këtë histori, kur në realitet gjithçka po bëhet nga UEFA me bashkëpunimin e ngushtë të Sportradarit, kompania e kontraktuar për të sinjalizuar gjithë ndeshjet e dyshuara për trukime: “Federbet ka bërë kërkesë që UEFA të na dënojë, por nuk ka asgjë zyrtare. Federbet monitoron tregun e basteve dhe sinjalizon për kuotat e dyshimta”.
Për Radas, historia nuk ka kuptim: “Sinqerisht, nuk ka shumë logjikë në këtë histori, sepse jemi dënuar një herë nga UEFA për ndeshjet për të cilat akuzohemi. Tani duan të na dënojnë sërish, me dënimin më të rëndë në histori, nuk e kuptoj. Nëse kanë pasur prova kundër nesh, pse nuk na përjashtuan menjëherë, jo thjesht për një vit. Dje morëm vesh që hetimi është zgjeruar dhe ka ardhur njoftim më 7 shkurt, ndërsa pritet vendim nga UEFA”.
Gjithsesi, Radas garanton pastërti vetëm për veten: “Nuk kam ndjerë asnjëherë që shokët e mi mund të manipulonin ndeshje. Personalisht, nuk jam fajtor për asgjë, por nga ana tjetër nuk e vë dot dorën në zjarr nëse akuzohen shokët e mi të skuadrës”.