Trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro ka mbetur natyrisht shumë i kënaqur nga fitorja kundër Partizanit në shtesë, me një penallti që ngjalli shumë debate. Për penalltinë Duro shprehet se mund të jepej më herët, pasi pati 3 episode identike në zonën e Partizanit.
“Fillimi është gjithnjë jo i lehtë, por ishte një fitore e çmuar, ndaj një rivali si Partizani, ndaj jam shumë i kënaqur.
“Ishte ndeshja e parë, lojtarët e sapoardhur kanë nevojë për kohë dhe ndaj nuk i aktivizova nga fillimi. Në pjesën e dytë futa dy lojtarë. Kam shumë besim te Nedeljkoviç, edhe pse nuk dha aq të pritej, ndërsa Zuka i dha shumë qetësi mesfushës.
“Penalltitë e pretenduara dhe e dhëna? E kuptoj mërzinë e Partizanit, të humbasësh në fundin e takimit me penallti nuk është e lehtë ta përballosh, por me sa shoh kanë qenë 3 episode për prekje me dorë, penalltia mund të jepej edhe më parë në favorin tonë. Mendoj se vendimi i arbitrit ka qenë i rregullt.
“Loja e skuadrës, jo fort e kënaqshme? Është e drejtë, por është ndeshja e parë dhe këto sfida janë shumë të vështira. I kisha thënë skuadrës të bënte shumë kujdes, sepse ndeshjet me kundërshtarë direktë vendosen nga episode dhe ashtu ndodhi. Partizani ishte gjatë gjithë kohës mbrapa, në mbrojtje, por nuk ka rrezikoi në kundërsulm. Ne krijuam më shumë situata për shënim dhe shënuam një gol.
“Ndeshja ishte ashtu si e prisja, do ta kishim të vështirë dhe kundër Partizanit nuk është e lehtë të krijosh shumë raste për shënim. Ashtu si shkoi ndeshja, edhe barazim mund të përfundonte, por fitorja në fund na kënaq shumë.
“Formacioni ishte po ai i pjesës së parë të sezonit, nuk futa lojtarë të rinj, vetëm në pjesën e dytë. Na mungoi Muarem, që është lojtar shumë cilësor, të gjithë janë cilësorë ata që kanë ardhur. Jemi të lumtur që fituam, për renditjen, jo se përballë ishte Partizani apo Starova”.