Duro “vendos pikat mbi i”: Danilo Alvesh nuk preket!

Danilo Alvesh dhe Flamurtari, një binom i pandashëm prej janarit 2016, kur braziliani zbarkoi në Vlorë. Vlonjatët e duan dhe e respektojnë, pasi braziliani është një nga ata sulmues që vrapon dhe lufton si pak të tjerë. Nuk shënon shumë, e vërtetë, por në futboll nuk vlejnë vetëm golat. Ka pasur momente kur “martesa” është futur në krizë, por lidhjet e forta nuk prishen nga probleme të momentit dhe Sinan Idrizi asnjëherë nuk ka menduar ta lërë të lirë një nga lojtarët e vet më të rëndësishëm. Edhe trajneri Shpëtim Duro, ndonjëherë kritik ndaj brazilianit, e ka pranuar se gjithçka e ka bërë për të marrë edhe më shumë nga një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Jo më kot, prej kohësh Skënderbeu është munduar ta marrë në Korçë 26-vjeçarin, aq sa i shkoi shumë pranë verën e shkuar, ndërsa ka nisur sulmin edhe këtë janar. Është raportuar shpesh javët e fundit se mund të kryhej një shkëmbim me Ardit Hoxhajn, i cili është në huazim te Flamurtari, ndoshta me Skënderbeun që mund të shtonte një sasi parash, por bisedimet nuk nisën asnjëherë zyrtarisht dhe tashmë në Vlorë janë lodhur nga këto spekulime.

Lajmi i dalë sërish në skenë ditën e sotme ka acaruar edhe trajnerin Shpëtim Duro, i cili i kontaktuar nga “Sport Ekspres” sqaron të gjithë, duke nisur nga tifozët kuqezinj, por edhe lojtari, nëse ai ka ndonjë dyshim.

Ne po përgatitemi për kampionatin dhe nuk është aspak e vërtetë që Alvesh do largohet nga Flamurtari”, deklaron prerë Duro, i cili është qartësisht i bezdisur nga zërat e merkatos pak ditë para ndeshjes kundër Partizanit.

Më pas, trajneri kuqezi sqaron pse Danilo Alvesh është i paprekshëm: “Nën drejtimin tim, në pjesën e parë të sezonit Danilo ka qenë titullar i padiskutueshëm, aq më shumë që ka qenë edhe kapiten i skuadrës në 5-6 ndeshjet e fundit, kur nuk ka qenë Bushiç.

“Patjetër që edhe vetë Alvesh nuk ndihet mirë që nuk ka shënuar shumë gola, por sidomos në muajt e fundit për mënyrën e lojës ka qenë një ndër lojtarët kryesorë të skuadrës me rendimentin që ka shfaqur. Kam besim se edhe në pjesën e mbetur të sezonit, pavarësisht nga konkurrenca e madhe, ai do të jetë një ndër pikat kyçe të Flamurtarit”.

Danilo Alvesh ka luajtur 61 ndeshje në Superiore që kur ka ardhur në Shqipëri, gjithnjë në formacion, duke shënuar 11 gola e duke dhënë shumë asiste, ndërkohë që ka luajtur si sulmues qendror, sulmues i dytë dhe sulmues krahu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *