Në rrjetet sociale ka pasur reagime për interpretimin mediatik të fitores së thellë me Partizanin. Trajneri Lika ndërkohë ul euforinë
Gëzim Beqiri
Vazhdojnë komentet për fitoren e Luftëtarit ndaj Partizanit dhe është rezultati i thellë, 5-0, që ka lënë më shumë përshtypje, sepse fitorja e skuadrës gjirokastrite ishte e paralajmëruar. Luftëtari luajti shumë mirë dhe shfrytëzoi çdo mundësi në zonën e Partizanit, por pak janë marrë me vlerat e tij në atë ndeshje, më shumë fokusi mediatik ka qenë te kriza e të kuqve. Për këtë arsye, në Gjirokastër ka pasur edhe pakënaqësi për mënyrën si është interpretuar nga opinionin ajo fitore e thellë e Luftëtarit.
REAGIMET – Luftëtari ka reaguar pas ndeshjes me Partizanin dhe jo vetëm drejtuesit e këtij klubi, por shumë të tjerë në rrjetet sociale. Sipas tyre, medie të ndryshme dhe analistë të shumtë janë marrë vetëm me Partizanin, me problemet që ka kjo skuadër dhe aspak me meritën e Luftëtarit. Nga ana e gjirokastritëve sillet në vëmendje fakti se nuk është rastësi dhe nuk është e para herë që Luftëtari triumfon ndaj Partizanit, madje edhe kur ky ekip ka qenë edhe më i fortë se tashti apo edhe kur Luftëtari ka qenë më i dobët. Luftëtari, përveç të tjerave, është ekipi më i penalizuar nga gjyqtarët dhe përsëri ka munguar sensibilizimi. Më i drejtpërdrejtë është shfaqur ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, teksa shkruan: ”Fitoi Luftëtari, nuk humbi Partizani”.
LIKA – Edhe futbollistët e trajnerët ndoshta nuk e mendonin atë rezultat, por ishte Luftëtari mirë apo Partizani dobët? Trajneri Hasan Lika u përgjigj në këtë mënyrë: ”Për fitoren e kishim besimin dhe i kishim bërë përgatitjet e duhura. Për sa i përket rezultatit, nuk ishte vetën merita jonë. Gaboi shumë Partizani dhe na dha mundësinë të shënonim, ndoshta më shumë se kaq. Në këtë takim çdo gjë shkoi mirë dhe nuk na penguan as arbitrat dhe as shtyllat të shënonim. Shënuan 4 lojtarë dhe është një tregues se skuadra funksionoi mirë në sulm. Në vazhdim do të mbështetemi në lojën e mirë dhe jo ta arrijmë fitoren, duke u nisur nga gabimet e kundërshtarit. Nuk ishte vetëm fitorja ndaj Partizanit, që bind se Luftëtarit i është kthyer besimi. Shpërdoruam shumë në ndeshjet e mëparshme, ku nuk kemi pasur edhe fatin me vete. Kthesa në lojën tonë nuk duhet konsideruar si largim nga rreziku i rënies nga Superliga. Kushdo që ka parë lojën tonë, nuk e vë në diskutim qëndrimin në Superligë. Pozitën e vështirë që kemi duhet ta kapërcejmë dhe kjo realizohet me lojë. Duhet të mësojmë ende nga gabimet, qoftë edhe nga ato të shfaqura në takimet e fundit, por pse të mos mësojmë edhe nga gabimet e Partizanit. Ishim mirë ne apo ishte dobët Partizani? Ndoshta do të qëndrojnë të dyja. Na takonte fitorja, kurse Partizanit jo ajo humbje”.