Sulmuesi Eri Lamçe ka qenë dje autori i dy golave kundër Partizanit. Ai ka ndikuar drejtpërdrejtë në fitimin e skuadrës së tij. Në fakt, Lamçja është mesfushor dhe këtë sezon ka mbajtur një barrë të rëndë mbi shpatulla, sepse e ka bërë sulmuesin nga halli, duke munguar sulmuesi i vërtetë, pas befasisë me Vasil Shkurtajn, i cili nuk u federua dot në kohë në verë. Gjithë sezonin Lamçja nuk kishte shënuar dhe dje kundër Partizanit erdhi hakmarrja e tij ndaj gjithë atyre që ia përmendnin me ironi faktin që nuk shënonte.
Lamçe shprehet mjaft i gëzuar për golat dhe për fitoren e skuadrës së tij. “Jam i lumtur për fitoren, por edhe për dy golat e shënuar nga ana ime. Kisha kohë pa shënuar dhe besoj se ‘më erdhi këmba’. Golat ja dedikoj motrës time e cila më ndjek në çdo ndeshje dhe më inkurajon vazhdimisht. Luftëtari tani është në rrugën e duhur dhe të tjera fitore do të arrijmë për t’u ngjitur aty ku e meriton dhe ka potencial ky ekip”, përfundon ai.