Peter Bos nuk është më trajneri i Borusias së Dortmundit. Trajneri holandez, i cili e mori drejtimin e skuadrës gjermane këtë verë, është pushuar nga puna pas humbjes së djeshme kundër Verderit, ndeshja e nëntë rresht pa fitore.
Një krizë totale, me lojë skandaloze, për një skuadër plot talente, që e nisi frikshëm kampionatin dhe për një moment u duk se po kërcënonte Bajernin. Gjithsesi, në tetor erdhi një humbje e hidhur në shtëpi ndaj Lajpcigut dhe që aty nisi pikiata, me një rrëshqitje të frikshme në renditje.
Tashmë Bos është pushuar nga puna dhe vendin e tij do të marrë austriaku Peter Shtëger. Trajneri 51-vjeccar ka drejtuar disa klube austriake, ndërsa në Gjermani ka drejtuar Këlnin nga viti 2013 deri javën e shkuar, duke lënë drejtimin për shkak të krizës së thellë të rezultateve, me Këlnin që është i mbytur në fundin e Bundesligës.