Për kroatin e mbrojtjes korçare, këtë Skënderbe mund ta ndalë vetëm vetvetja. “Ju them me bindje që do ia dalim edhe ndaj Partizanit”
“5 pikë në një grup të vështirë në Europa League nuk është pak. Nuk e kishte menduar askush që do të arrinim deri këtu, por ja ku jemi. Na quani ekipi më i mirë në histori, me gojën plot e meritojmë. Vijmë pas dy barazimeve radhazi në kampionat dhe pavarësisht se luajmë në kryeqytet ne do të kërkojmë në këtë 90-minutësh vetëm fitoren”, këto e shumë të tjera ka thënë dje nga Durrësi mbrojtësi i Skënderbeut, Marko Radas. Kroati me shumë përvojë mbi supe është i bindur në fjalët e tij optimiste që thotë për këtë Skënderbe, dhe mendon që edhe nesër skuadra korçare do të jetë e pandalshme, pavarësisht se luan në transfertë.
Radas, 5 pikë në pesë ndeshje në Europë. Jeni të kënaqur me këtë paraqitje?
– Është një arritje e madhe të them të drejtën. Të marrësh 5 pikë në një grup të vështirë në Europa League nuk është pak. Nuk e kishte menduar askush që do të arrinim deri këtu, por ja ku jemi. Na quani ekipi më i mirë në histori, me gojën plot e meritojmë.
Por të eliminohesh në këtë mënyrë është mëkat, apo jo?
– Sigurisht që po, megjithëse duhet ta pranojmë që u përpoqëm të bënim maksimumin, por ajo ndeshje në Serbi vendosi shumë. Nuk ishte më në dorën tonë, megjithëse ne ia bëmë hyzmetin deri në fund. Kjo ka edhe anën e mirë, sepse kur të vjen keq për eliminimin do të thotë se ke qenë duke bërë mirë.
Vjet Sportingu, sivjet Dinamo e Kievit. Skënderbeu ia ka marrë dorën “kokave” të grupit.
– Treguam edhe një herë që nuk jemi këtu rastësisht. Treguam forcën tonë dhe e provuam ndeshjen e fundit në shtëpi me Dinamon. Gjatë gjithë kohës kemi luajtur si të barabartë me këdo dhe kemi mundur të marrim atë që duam në disa ndeshje, në të tjera fati nuk ka qenë me ne.
-Tani gjithçka është mbyllur, mbetet kampionati…
-Kampionati gjithmonë ka qenë primar për ne. Edhe kur luanim në Europë për objektiv, takimet në kampionat ishin gjithnjë primare, pasi duam të sjellim titullin me çdo kusht sërish në Korçë.
-Për momentin 5 pikë diferencë me vendin e dytë, pasi Kukësi fitoi dhe ju luani nesër. Një garanci e madhe për titullin kampion?
-Është një diferencë e mirë, por nuk e shohim që tani renditjen, pasi është ende herët. Do të mundohemi të ecim kështu deri në fund të sezonit dhe më pas do të bëjmë llogaritë tona. Është një rrugë e mirë deri tani dhe pas barazimeve do të shohim të kthehemi te fitorja, që është aq shumë e nevojshme për vazhdimësinë.
-Luani ndaj Partizanit, sa i vështirë është ky takim?
-Është një ndeshje në transfertë, por vështirësia është e njëjtë si të gjitha takimet e tjera. Partizani ka ndryshuar, por ne nuk na intereson shumë. Do të shkojmë atje për të bërë maksimumin dhe për të dhënë më të mirën. Të shohim se çfarë do të prodhojë ndeshja dhe më pas do të diskutojmë për rezultatet.
-Kukësi nga ana e vet fitoi dhe Flamurtari që ishte në vendin e dytë barazoi. Si i komentoni këto rezultate?
-Në fakt nuk na interesojnë shumë ne si skuadër, pasi ne jemi Skënderbeu dhe këtë sezon e kemi vetë në dorë fatin e titullit. Me këtë dua të them se nëse ne bëjmë mirë deri në fund, ashtu siç kemi bërë deri tani, absolutisht që nuk do të kemi nevojë as për hapat e gabuara të kundërshtarëve, apo të pyesim se si kanë dalë.
-Me këtë doni të thoni që ndaj Partizanit do të luani vetëm për tre pikë?
-E theksova edhe më sipër, që ne në çdo ndeshje futemi në fushë vetëm për tre pikë. Këtë do të bëjmë edhe këtë herë. Vijmë pas dy barazimeve radhazi në kampionat dhe pavarësisht se luajmë në kryeqytet ne do të kërkojmë në këtë 90-minutësh vetëm fitoren. Nëse bëjmë gjithçka mirë në fushë, patjetër që do ia dalim.
-Mos jeni paksa të lodhur, pasi të enjten keni luajtur ndaj Dinamos së Kievit?
-Ne jemi mësuar me këtë ritëm dhe nuk na bën asnjëherë përshtypje. Madje kur luajmë kaq shpesh, edhe ritmin e kemi më të lehtë që ta kontrollojmë. Skënderbeu ju them me bindje që do ia dalë edhe ndaj Partizanit dhe do të vazhdojmë të ruajmë diferencën me ndjekësit tanë.
-Së fundi, sipas jush cili është rivali më i fortë për titullin kampion për Skënderbe?
-Rivali më i fortë për ne është vetëm Skënderbeu. Ne e kemi vetë në dorë këtë vit titullin kampion dhe nuk besoj që kemi kundërshtarë, pasi ju e keni parë edhe në fushën e lojës se kush është Skënderbeu dhe se kush janë ekipet e tjera.