Gjithçka nga zero, skuadra të ndërtuara në më pak se dy muaj, tashmë Flamurtari e Kamza fluturojnë. Si është e mundur diçka e tillë? Varet nga trajneri dhe klubi që ka pas
Në Korçë do të habiten paksa: po Ilir Daja, që kryeson bindshëm, nuk është arkitekt suksesi? E drejtë, Ilir Daja është trajner i nivelit shumë të lartë, por këtë sezon po korr frytet e punës së bërë që sezonin e shkuar, jo vetëm prej tij, sepse Skënderbeu i ka themelet të forta. E kundërta vlen për Flamurtarin e Kamzën, dy surprizat pozitive të këtij sezoni, të paktën deri tani. Nëse Partizani ka dështuar në 10 javët e para dhe Kukësi ka shumë luhatje, Flamurtari është rikthyer i frikshëm dhe Kamza po na del një ekip “mistrec”, që nuk respekton askënd, ndal Skënderbeun kryesues dhe me pak fat mund të ishte edhe më lart në renditje. Kush e ka ndjekur futbollin veror, zor se do të vinte bast për këto dy skuadra, që u bënë nga e para. Arsyeja e suksesit? Mund të gjendet fare mirë te trajnerët, ata janë “timonierët” që morën përsipër ndërtimin e skuadrës dhe lidhjen e lojtarëve me njëri-tjetrin.
DURO RIKTHEN SHPRESËN NË VLORË – Prej disa sezonesh Flamurtari ka lundruar në ujra të turbullt, shumë të turbullt. Fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 2014, por ajo ishte një mrekulli e bërë realitet me shumë vuajtje, në një sezon ku mbijetesa u arrit me vështirësi dhe ku problemet financiare bënë që në Vlorë të qëndronin shumë pak lojtarë të mirëpaguar, duke sakrifikuar jo pak në anën financiare. Më pas nisi epoka turke dhe problemet u shtuan katërcipërisht, për arsye që janë trajtuar me qindra herë. Paratë nuk munguan kurrë, por mungoi menaxhimi i duhur dhe vetë administratori Sinan Idrizi e ka pranuar se ka gabuar në aspektin sportiv. Për këtë arsye, pasi siguroi në javën e fundit mbijetesën sezonin e shkuar, konfirmoi Shpëtim Duron në stol dhe i tha: “Boll më, nuk merrem fare me këtë punë dhe nuk do merret askush veç teje. Bëj ç’të duash, ndërto skuadrën nga e para nëse dëshiron, më sill faturën në fund”. Duro, nga ana e vet, ishte betuar që në prill dhe thoshte i bindur: “Kam një skuadër që paguhet si kampione dhe ka rezultate mbijetese. Nëse nuk biem nga kategoria dhe Idrizi më jep besim, do rindërtoj gjithçka me gjysmën e shpenzimeve. Më mjafton vetëm një gjë: siguria financiare”.
U tha, u bë: Sinan Idrizi këtë radhë po i bën gjërat si duhet, sepse ka kuptuar se lufta e tij kundër sistemit, beteja për privatizimin e klubit dhe dalja nga informaliteti e borxhet pa fund, duhet të vazhdojë në një linjë më vete, larg skuadrës. Duro i largoi thuajse të gjithë, kërkoi me ngulm vetëm një lojtar nga sezoni i shkuar: Tomisllav Bushiç. Në sulm është një pikë referimi dhe kur është mirë fizikisht, është i pandalshëm. Qëndruan edhe Mersini, ndër më pak të paguarit nga sezoni i shkuar, Veliu e Hyseni, dy vlonjatë, si dhe Jakovljeviç e Danilo Alvesh. Të tjerët, të gjithë të lirë.
Nurkoviç mori çelësat e portës dhe nuk ka zhgënjyer, Musta është një përforcim i shkëlqyer edhe për moshën e tij të re, Bicaj i ka dhënë muskuj e centimetra qendrës së mbrojtjes, Siljanovski ishte ndër më të mirët në Maqedoni dhe duket një tren në krahun e djathtë. Pollozhani ka një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe mbush gropat në mesfushë e mbrojtje, Useini është një “Robocop” në miniaturë, Zhufo ka finesë braziliane dhe krose të shkëlqyer, Sidibe e Kamara janë dy investime fenomenale, sepse klubi ka të drejtë t’i blejë kur të dëshirojë. Meqë duhet ndonjë vlonjat, u kthyen Liçaj e Ardit Hoxhaj dhe ky i fundit është një zbulim, sepse nga mbrojtja në sulm kalon me një shpejtësi të admirueshme dhe gjithashtu di të pasojë e të shënojë.
Fitorja e madhe e Duros është që gjithë këta lojtarë, që nuk njiheshin me njëri-tjetrin, në pak javë i bëri ekip. Mund të quhet ekipi më i fortë fizikisht dhe më i zoti në lojën në ajër, por me një qarkullim topi të admirueshëm, siç u pa edhe ndaj Skënderbeut. Nëse pastaj në janar vjen ndonjë mesfushor cilësor, gjithçka do të jetë edhe më e bukur. Të shihje tifozët e Flamurtarit që duartrokisnin e festonin me lojtarët, pas Skënderbeut, do të thotë shumë. Rrallë në Vlorë të thonë “bravo” pas një barazimi, por të enjten të gjithë ishin dakord, ky Flamurtar më në fund është kthyer i bukur dhe i frikshëm. Meritë e Duros, një arkitekt i vërtetë, sepse misionin e ndërtimit të skuadrave nga zero e ka qejf, e ka bërë shpesh, nga Kavaja e deri te Partizani, me sukses.
NDREU DHE KRYEVEPRA KAMZA – Së pari, është vetëm fillimi, nuk duhet kaluar në eufori dhe në Kamzë kësaj i druhen më shumë. Megjithatë, si pa dashje, po u shket goja: Po sikur të shkojmë në Europë? E provoi Luftëtari sezonin e fundit, e meritonte plotësisht Europën, por nuk i eci mbarë, jo për faj të vet. Nga një debutuese te tjetra, por këtë radhë Kamza habit më shumë se Luftëtari, sepse Ndreu është detyruar ta ndërtojë skuadrën thuajse nga zero.
Erlis Frashëri, Leo Lelis, Mehmeti, Ymeraj dhe Rezi qëndruan nga sezoni i shkuar, ndërsa erdhën lojtarë ekspertë, nga Halilaj në portë, te Kuqi e Raçiç. Idrizaj e Fushtar përforcuan së tepërmi mbrojtjen, që është e dyta më e mirë në Superiore, Arrabal është një zbulim i bukur, por i pritshëm, sepse ishte titullar edhe në Qipro, Imeri është një goditje mjaft interesante dhe “qershia mbi tortë”, Sebino Plaku. Asnjë skuadër poshtë 3 ekipeve të kreut nuk ka një sulm kaq të kompletuar. Pyesni Partizanin: a do të ishte kriza kaq e thellë po të kishte pikërisht dyshen Plaku-Raçiç në sulm? Ah, po, harruam, i ka pasur. Nejse, histori tjetër ajo. Ndreu besoi verbërisht te dy sulmuesit e tij, i priti deri në orët e fundit të gushtit dhe u shpërblye. Të gjithë lojtarët ishin skeptikë në fillim, por pak nga pak e kuptuan se Ndreu, kryebashkiaku Mziu dhe presidenti Qarri, e kishin seriozisht, shumë seriozisht. Qeshëm të gjithë kur dëgjonim në verë Ndreun që deklaronte se synimi ishte gjashtëshja e parë, aq më shumë që Mziu fluturonte, duke thënë se do të rivalizonte Kukësin. Tani nuk po qeshim, Kamza është një model për t’u studiuar.
Ndërtimi i skuadrës nga zero është një bast shumë i rrezikshëm dhe jo i këshillueshëm në futboll, por nëse gjendet arkitekti i duhur, gjithçka është e mundur. Shihni Duron në Vlorë e Ndreun në Kamzë.
Blerim Jahaj