Trajneri i Kukësit ka komentuar humbjen me Korabin, teksa ka vënë në dukje rastet e humbura dhe skuadra e tij duhej të kishte shënuar. Po ashtu tekniku serb tregon dhe arsyen e kësaj miqësore, e cila ka pasur vlerë akoma më të madhe për të parë gjendjen e disa lojtarëve: “Kemi pasur një javë shumë të ngarkuar me stërvitje. Ishim pak të lodhur, por ne e zhvilluam këtë ndeshje për të parë gjendjen e lojtarëve që vinin nga dëmtimi dhe disa lojtarëve të tjerë që i kemi provuar. Kjo ishte arsyeja pse luajtëm dy pjesë me të dy formacione të ndryshme. E dominuam ndeshjen, patëm shumë raste për shënim, sidomos në pjesë të parë me Zeqirin, rast të cilin duhet ta kishim realizuar. Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por dhe performancës nga disa lojtarë. Prisnim fitoren që të shkonim të qetë te Kamza. Kemi bërë gabime në fazën e parë dhe nuk na lejohen më gabimet. Duke nisur që nga Kamza duhet të grumbullojmë më shumë pikë se në 9 ndeshjet e para”.
Në lidhje me faktin nëse e shqetëson humbja, pavarësisht se vjen në një ndeshje miqësore, Milinkoviç është i prerë, duke kërkuar që lojtarët të jenë më serioz, si në takimet miqësore, por dhe në seancat stërvitore, duke treguar në këtë mënyrë pakënaqësinë e tij: “Natyrisht që ishte një humbje që ne nuk e prisnim dhe humbjet nuk lënë shije të mirë. Unë nuk dua që skuadra ime të humbasë në stërvitje e jo më në ndeshje, por dhe lojtarët duhet të jenë më seriozë në stërvitje e jo më në ndeshje dhe pse miqësore”.