Stadiumi legjendar i Barcelonës, “Nou Camp”, mund të emërtohet ‘Nou Camp Grifols’ prej sezonit të ardhshëm, pasi klubi katalan është pranë marrëveshjes për shitjen e të drejtës së emrit për 30 vitet e ardhshme. Shifra për të cilën po diskutohet është e çmendur: 340 milionë euro!
Radio Catalunya lajmëroi dje se Barça është duke negociuar me gjigantin farmaceutik Grofils, për të arkëtuar një shifër të frikshme, që do të mundësonte rinovimin e stadiumit, por edhe përballimin e rinovimit prej faraoni të Lionel Mesit.
Grifols është me qendër në Barcelonë dhe një ndër kompanitë më të mëdha në bursën e Spanjës dhe ka bërë një ofertë joshëse për klubin, po që duhet miratuar edhe nga tifozët, që janë aksionerë me të drejtë vote në klub.
Barcelona duhet të shpenzojë rreth 600 milionë euro për të rinovuar stadiumin dhe zonat përreth, ndërkohë që shpenzon rreth 479 milionë euro për pagat e futbollistëve, pa harruar që Mesi duhet të marrë rreth 90 milionë euro si bonus besnikërie, nëse rinovon.