Milinkoviç: Falënderoj tifozët, Luftëtari më është ende borxhli

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, kthehet dhe merr fitoren në Gjirokastrën ku bëri emër në Shqipëri sezonin e shkuar. Trajneri serb tashmë falënderon tifozët gjirokastrite, por ka ende probleme me drejtuesit e Luftëtarit: “Para se të flas për lojën, dua të bëj një falënderim special për tifozët e Luftëtarit, për parullën dhe duartrokitjet që më rezervuan.

“Për sa i përket rezultatit, nuk është ai që duhej të ishte, sepse Luftëtari ka vendosi në vështirësi të mëdha sidomos në 15-20 minutat e para të pjesës së dytë. Luftëtari tregoi se ka ekip të mirë dhe nuk e meriton vendin në renditje. Ne kemi luajtur mjaft mirë dhe nëse luajmë kështu, nuk kemi frikë askënd. Goli i tretë ishte shumë i bukur, por nuk jam i kënaqur me lojtarët e mi, sepse tregohen shumë egoistë dhe kënaqen me pak, jo vetëm sot. Duhet të kërkojmë të shënojmë më tepër, në çdo ndeshje.

“Goli i Bakajt? Gjithçka ndodhi shumë shpejt, dikush i ra bilbilit nga jashtë dhe lojtarët vendas u ndalën, ndërsa Bakaj u tregua i shpejtë dhe shënoi. Nuk di ç’të them, shoh Gurin që pason topin dhe ne vazhdojmë lojën.

“Gjyqi me Luftëtarin? Nuk jam paguar prej prillit deri në qershor, nuk kam marrë as premiot e bonuset, ndaj e kam çuar çështjen në FIFA. Kemi kërkuar të drejtën tonë, sepse presidenti i Luftëtarit nuk na është përgjigjur. Të gjitha dokumentet janë edhe në FSHF”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *