Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, është qartësisht i dëshpëruar nga humbja në Kamzë, e ardhur me një gol fatkeq në fund, por loja e Vllaznisë në 90 minuta ishte mediokre.
“Normalisht që nuk është një situatë e mirë, pasi rezultatet e Vllaznisë deri tani nuk të lejojnë shumë të komentosh. Kemi gabuar në dy ndeshje shtëpiake, duke marrë vetëm një pikë, që është shumë pak, duke ditur që në Superiore pikët në shtëpi nuk duhen lëshuar. E kemi marrë pak lehtë këtë sezon, ndoshta mendojmë se pikët vijnë vetë në futboll, pa djersitur sa duhet.
“Sot luajtëm një pjesë të parë të mirë deri diku, ndërsa në pjesën e dytë nuk bëmë asgjë dhe nuk na falet. Qëndruam pas tërë kohën dhe goli do të dilte herët a vonë, por jam shumë i zhgënjyer, pasi kemi një skuadër me lojtarë me eksperiencë në futbollin shqiptar, që duhet ta marrin për dore skuadrën. Ekipi ka bërë lojë deri tani, por nuk ka shënuar, edhe pse ka krijuar shumë raste, ashtu si bëri sot në pjesën e parë. Duke mos gjetur golat, shtohet presioni dhe vijmë në ndeshje si kjo e sotmja. Nuk e di kur do t’i marrin përgjegjësitë mbi vete lojtarët, sepse nuk po e bëjnë këtë gjë dhe po bëjmë gabime pa kuptim. Unë marr përsipër përgjegjësitë e mia, por lojtarët e afruar janë cilësorë. Këto janë mundësitë, kjo është skuadra, por mundësitë e skuadrës janë për më shumë. Duhet zgjim urgjent, para se të jetë vonë.
“Vucaj, Lila e Hasani kanë emër dhe eksperiencë, ndaj duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, për të udhëhequr skuadrën. Nuk janë në gjendje optimale, kanë luajtur pak sezonin e fundit dhe kanë pasur probleme edhe në verë, por më shqetëson rënia totale e ekipit në pjesën e dytë, pavarësisht nga zëvendësimit”.