Ish-trajneri italian i bavarezëve: Kanë thënë që ma kanë punuar pas krahëve, por unë nuk di asgjë. Montela? Nuk na lejojnë të dy në një stol
Shkarkimi i parë gjatë kampionatit, në karrierën e tij, nuk i ka humbur humorin Karlo Ançelotit, që ka qenë dje i pranishëm në Torino për të marrë çmimin kombëtar të futbollit, “Antonio Ghirelli”. Ka qenë ky rasti kur gazetarët e kanë pyetur në lidhje me atë që ka ndodhur në Gjermani dhe për të ardhmen e tij.
“BAJERNI? KA KALUAR” – “Unë jam gjithnjë i qetë, është karakteristika ime. Përse u dashka të jem nervoz, çfarë ka ndodhur? Bajerni? Ai ka kaluar tashmë. Unë jam gjithnjë vetvetja, siç kam shkruar edhe në librin tim, shkarkimi është pjesë e punës, nuk jam i surprizuar. Ka përfunduar një aventurë, tani po përgatitemi që të përballem me një tjetër”, ka thënë Karlo për “Sky”-n.
MUNGESË RESPEKTI – Mesa është shkruar kanë qenë mardhëniet jo të mira me senatorët e skuadrës që e kanë çuar Ançelotin drejt shkarkimit. “Në 22 vite karrierë si trajner kam kërkuar gjithnjë të kem mardhënie të mirë me të gjithë, duke kërkuar të respektoj të gjithë, nuk kam pasur kurrë probleme të mëdha. Thuhet se dikush ka qenë kundër meje, nuk e di. Një trajner duhet të bëjë disa zgjedhje dhe duhet t’i bëjë ato në të gjitha ndeshjet. Vetëm 11 janë ata që shkojnë në fushë. Duhet inteligjenca dhe forca e klubit që të detyrojë që këto zgjedhje të jenë të respektuara nga të gjithë. Mungesë respekti ndaj meje? Nuk përgjigjem”.