Një tjetër lajm i mirë vjen pas kualifikimit në Kupë për kampionët e Kukësit. Tifozët e verilindorëve do i japin fund bojkotit të tyre dhe do të rikthehen në stadium. Sot disa nga anëtarët e tifo-grupit “Mërgata” kanë pasur një takim me presidentin e Kukësit, Safet Gjici dhe siç lajmërohet në faqen e tyre, kanë arritur një marrëveshje për t’u rikthyer sërish në shkallët e stadiumit. Tani kampionët kanë një “armë” më shumë për ndeshjet në shtëpi, pasi do të kenë dhe mbështetjen e tifozerisë, e cila premton se do të dhurojë spektakël, megjithatë mbetet ende një qëndrim i kundërt në lidhje me trajnerin Milinkoviç, i cili nuk gëzon simpatinë e tyre.
“Për Kukësin, me Kukësin, vetëm Kukësin! Pas një takimi qe kemi pasur me organet më të larta drejtuese të klubit kemi arritur që me një marrëveshje të ndërmjetme të rikthehemi në stadium. Na janë plotësuar disa nga kushtet tona edhe pse më kryesori, ai i largimit të Milinkoviç nga ana e klubit u pa si e paarsyeshme. Shumë shpejt Mërgata e Armata do kenë sektorin e tyre në stadium, dhe nëpërmjet fillimit të antarësimeve do krijojmë një grup kompakt ultrasish. Ndaj ata që na kritikuan gjatë këtij bojkoti jo vetëm i ftojmë por e kanë detyrim të jenë anëtarë dhe të kontribuojnë realisht në mbështetje të ekipit. Pavarësisht kësaj Mërgata mban qëndrim të distancuar nga vendimi i klubit për afrimin e Milinkoviç dhe gjithmonë do jetë kështu. Mërgata, 27 shtator 2017”, përfundon njoftimi i ultrasve të Kukësit.