Nëse Vllaznia e këtij sezoni do ishte një skenar, me siguri do t’i ngjante “Tre Musketierëve”, historia e tre luftëtarëve që bashkohen për një qëllim dhe bëhen aq popullorë sa gjithkush fillon t’i dashurojë. Hasani-Vucaj-Gilman Lika krijuan idenë e tre të tillëve që në ditën e parë të kampionatit. Nëse Vllaznia fitoi pa u sforcuar 2-0 në Fier kundër Lushnjës, ishte mbi të gjitha merita e tyre. Lojtarë me klas në këmbë, por që gjërat nuk po u shkonin mirë larg shtëpisë. Dhe, siç i thonë, “shtëpia të bën me krahë”. Një kartëvizitë e shkëlqyer për një ekip që kërkon të rikthehet e të mos luajë më për mbijetesë, por të shijojë ndoshta garën për Europë dhe të sjellë sa më shumë tifozë dalëngadalë.
Këta nuk janë të vetmit kampionë të së shkuarës që bashkohen në Shkodër. Është dhe Orelesi, një “ish” i rëndësishëm i Skënderbeut, dhe Ribaj, një tjetër “ish” interesant i Skënderbeut e Flamurtarit. Vllaznia në përgjithësi është toka që i prodhon kampionët, për momentin është toka që i rikthen dhe i bashkon. Cungu këtë radhë ishte më i relaksuar dhe grindjet e ankesat e së shkuarës i kishte lënë në mbylljen e sezonit të shkuar. A është rikthyer Vllaznia? Patjetër që diçka ka ndryshuar, tani mbetet të shohim sa.