Trajneri i Lushnjes, Artan Bano, është treguar i sinqertë pas humbjes kundër Vllaznisë, duke pranuar se skuadra e tij luajti shumë më dobët nga sa pritej dhe ndërkohë ka pranuar se të luajturit në Fier është një problem i madh dhe për këtë fajin e ka vetë klubi lushnjar.
“Më vjen keq, kemi luajtur shumë dobët. Skuadra u paraqit keq, ishte shumë e karikuar psikologjikisht dhe nuk doli në lojën e vet, edhe pse përbërja është e mirë. Vllaznia ka një ekip cilësor, por golin e parë e dhuruam vetë dhe gjithashtu gabuam te pjesa e dytë. Ishte një ndeshje e hapur, nuk shënuam ne dhe ia doli Vllaznia, me dy episode. “Nuk është se kundërshtari dominoi, por gabuam shumë dhe nuk shfrytëzuam as pikën tonë më të fortë, goditjet standarde
“Mbijetesa? Ne besojmë, sepse skuadra nuk është e keqe dhe financiarisht klubi do të jetë korrekt deri në fund. Ekipi është cilësor, por ndoshta gabuam që nuk e përfunduam në kohë rikonstruksionin e stadiumit dhe tifozeria jonë e zjarrtë do të na jepte një ndihmë të madhe nëse do të luanim në Lushnje”.