Kur Nejmar u transferua nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro, pati protesta në rritje nga klubet e tjerë për çmimin dhe sjelljen e klubit francez. Pas transferimit rekord, çmimet e futbollistëve janë rritur në mënyrë skandaloze dhe Dembele u bë futbollisti i dytë më i shtrenjtë në botë, ndërsa Kutinjo është ende në treg deri në 31 gusht dhe mund të kalojë Dembelenë.
Tani PSG mbyll edhe supergoditjen e dytë verore, duke gjetur marrëveshjen me Monakon për të blerë Kilian Mbapenë për 180 milionë euro, plus bonuse. Dy blerjet më të mëdha të historisë, të dyja nga Parisi.
Loja e PSG-së për të evituar Fair-Play financiar është huazimi i Mbapesë dhe pagesa e tij verën e ardhshme, por UEFA kërcënon, nëpërmjet presidentit Ceferin: “Ekzistojnë disa mundësi dënimi, nëse shkelen rregullat Fair-Play. Përjashtim nga kupat e Europës, heqje pikësh… E dinë mirë, nuk do kemi frikë të ndëshkojmë askënd”.
Le Parisien shkruan sot se Nejmar ka një kosto totale prej 117 milionë eurosh në sezon, ndërsa Mbape do të ketë një kosto prej 50 milionë eurosh në sezon.
Kjo detyron PSG-në të realizojë 100 milionë euro të ardhura vetëm këtë verë. Deri tani Augustin ka shkuar te Lajpcigu për 16 milionë euro, Matuidi te Juventusi për 20 milionë, plus 10 bonus. Serzh Orie te Totenhemi është shitja e radhës, por me shumë gjasa do të largohet edhe ndonjë emër i njohur, ndoshta Di Maria, për të arritur objektivin dhe për të ulur ndjeshëm nivelin e pagave të çmendura.
Gjithashtu, PSG po negocion me Nike për kontratën e re të sponsorizimit (nga 30 milionë aktualisht, pritet të shkojë mbi 80 milionë). Nëse kjo ndodh, evitohet dënimi, të paktën për këtë verë.