Flamurtari mbyll fazën greke, Duro: Të shkëlqejmë në lojë, rezultatet do të vinë

0

Vlonjatët kanë lënë Greqinë dhe kanë mbërritur dje në mbrëmje në qytet. Për numrin një të stolit kuqezi, gjithçka ka shkuar si jo më mirë

Elton Nika

Flamurtari ka mbyllur fazën përgatitore në Greqi, ku qëndroi për gati dy javë. Vlonjatët kanë zhvilluar edhe një stërvitje gjatë paradites të ditës së diel dhe më pas kanë udhëtuar drejt Vlorës. Udhëtimi është kryer sërish me autobusin e skuadrës, ndërkohë që gjatë pasdites vonë kuqezinjtë kanë mbërritur në shtëpi. Flamurtari do të qëndrojë disa ditë pushim, konkretisht deri ditën e enjte, kur stafi teknik ka vendosur të rinisë stërvitjen, duke u fokusuar te ndeshja e javës së parë në kampionat me Skënderbeun. Tri ditë pushim dhe lojtarët janë shpërndarë, duke shkuar pranë familjeve të tyre. Kuptohet, pas asaj faze të ngarkuar, edhe ata kanë nevojë për t’u çlodhur.

DURO – Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, e vlerëson me nota pozitive fazën përgatitore të zhvilluar në Greqi. Në një prononcim për “Sport Ekspres” ai shprehet se gjithçka ka shkuar mirë dhe tani është koha të shfaqur vlerat në kampionat: “Më duhet të them se faza përgatitore ka qenë mjaft e mirë. Pozitive  në të gjitha aspektet e saj, ku veç stërvitjes me dy seanca në ditë, kemi zhvilluar edhe dy ndeshje miqësore, për të cilat ju keni informacionin e duhur. E rëndësishme është që nuk kemi pasur probleme me dëmtimet, me ndonjë përjashtim të vogël, por që nuk kemi rrezikuar. Lojtarët e kanë përballuar mjaft mirë të gjithë periudhën dyjavore në Greqi. Në fakt, faza përgatitore e skuadrës këtë vit, edhe për faktin se kampionati nis në shtator,  ka qenë më e gjatë, e ndarë në dy pjesë, në Mavrovë dhe më pas në Greqi. Mendoj se kemi marrë maksimumin nga lojtarët dhe natyrisht që ka pasur ngarkesë, që është ndjerë edhe gjatë ndeshjeve miqësore. Këto të fundit na kanë shërbyer për të konsoliduar skuadrën, për të parë nga afër të gjithë lojtarët gjatë zhvillimit të një ndeshjeje, por edhe për të provuar pse jo rreshtimet e mundshme. Ndeshjet miqësore kanë rëndësinë e tyre të veçantë. Rezultati është ai që na intereson më pak, pasi më shumë rëndësi i kemi vënë lojës dhe skuadra ka ardhur drejt rritjes. Nëse mund të themi një përkufizim, pa dyshim që e pranojmë se ka qenë një fazë përgatitore me mjaft vlera dhe çdo gjë ka ecur mjaft mirë. Por tashmë na duhet të mendojmë për kampionatin. Më 9 shtator luajmë ndeshjen e parë në kampionat, përballë Skënderbeut në transfertë. Pra, tashmë gjithçka fokusohet vetëm në funksion të kampionatit dhe ndeshjes së parë. Stërvitja nis pas disa ditësh pushim, të nevojshme për lojtarët dhe më pas flasim dhe mendojmë për ndeshjen e parë në kampionat”, theksoi mes të tjerash trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.