Menaxheri i përgjithshëm i klubit beson më shumë se kurrë te kalimi në grupe. Incidentin e Maqedonisë e quan keqkuptim, ndërsa Shehin nuk e lejon të largohet
Emocionet e ndeshjes së kthimit me Dinamon bëhen gjithmonë e më të forta, sidomos për ata që janë pjesë e ekipit dhe klubit korçar. Gerhard Takaj, djali i presidentit Takaj dhe menaxher i përgjithshëm i Skënderbeut, beson më shumë se kurrë te kalimi në grupet e Europa League, pasi sheh impenjimin maksimal të të gjithëve. Në një intervistë enkas për “Sport Ekspres” ai shpreh bindjen se objektivi do të arrihet me ndihmën e tifozëve, ndërkohë që flet edhe për incidentin e Maqedonisë dhe çështjen e tërheqjes së portierit Shehi nga futbolli i luajtur.
– Gerhard, edhe pak ditë na ndajnë nga ndeshja e së enjtes në mbrëmje. Si duket ekipi?
– Jemi të përqendruar maksimalisht te ndeshja e së enjtes dhe e gjithë Shqipëria ka filluar të flasë vetëm për sfidën tonë me kroatët. Ekipi po stërvitet në Korçë dhe mund të them se nga i pari deri tek i fundit ka vetëm optimizëm.
– Skënderbeut i mjafton një barazim 0-0 për të kaluar në grupet e Europa League…
– Shpresojmë shumë te kualifikimi. Duhet të japim 200% në fushë për të shkuar në grupet e Europa League. Kam shumë besim se lojtarët do ta bëjnë realitet këtë objektiv.
– Dinamo e Zagrebit i ka kursyer titullarët në kampionat, duke i dhënë rëndësi maksimale ndeshjes me Skënderbeun. Ndoshta është trembur?
– Kundërshtari ynë në ndeshjen e fundit të kampionat nuk pati një pjesë të mirë të lojtarëve në formacion, por mos harroni se shumë prej tyre kanë qenë të dëmtuar. Dua të them se nuk ka qenë një vendim i stafit për t’i lënë pushim.
– Biletat po shiten me ritëm të jashtëzakonshëm. Cila është thirrja juaj ndaj tifozëve për ndeshjen e së enjtes?
– Do të jetë një ditë historike për gjithë Korçën dhe për gjithë shqiptarët, prandaj i madh dhe i vogël le të jemi atë mbrëmje në Elbasan për të shijuar një atmosferë fantastike, që vetëm Skënderbeu e dhuron.
– Gjithmonë keni qëndruar në stol dhe Skënderbeut i keni sjellë fat. Po të enjten ku do të qëndroni, në stol apo tribunë?
– E rëndësishme është që Skënderbeu të kalojë më tej. Unë do të qëndroj sërish në stol dhe do të kem më shumë emocione se kurrë më parë, aq më tepër që do të jetë një stadium plot e përplot dhe të gjithë do të ndjejnë të njëjtat emocione besoj.
– Në ndeshjen e parë Skënderbeu “qau” atë gol të pësuar në minutën e fundit shtesë. Në Elbasan do të jetë tjetër “melodi”?
– Goli që pësuam në fund atë mbrëmje të 17 gushtit në Kroaci sigurisht që na mërziti, por mendoj se njëkohësisht na motivon më shumë për takimin e kthimit në Elbasan.
– Gerhard, 3.3 milionë euro në lojë. Një shumë, që mund të shtohet më tej nga shitjet dhe e drejta televizive. Cili është komenti juaj?
– Jemi këtu me meritë të plotë dhe sa fiton Skënderbeu apo të tjerët kjo është punë tjetër. Skënderbeu ka punuar shumë për këtë ditë dhe jo rastësisht sot ndodhemi në “play-off”-in e Europa League.
– Latifi kalon përfundimisht te hungarezët e Akademisë Pushkash. Kush e ka radhën për t’u shitur te Skënderbeu?
– Latifi është pjesë e Skënderbeut deri të enjten dhe është i preokupuar 100% për ndeshjen ndaj Dinamos së Zagrebit. Edhe ai, si gjithë lojtarët e tjerë, ka premtuar se do ta çojnë Skënderbeun në grupe. Për të tjerët prisni, sepse ka ende kohë.
– Vjen Suad Sahiti pas pak ditësh. Çfarë do të thoshit për këtë lojtar?
– Për momentin po mendojmë ndeshjen e radhës. Për Sahitin mund të them vetëm se i urojmë mirëseardhjen.
– Nëse ky Skënderbeu siguron grupet e Europa League, do të ketë afrime të tjera cilësore në skuadër?
– Pa diskutim që do të ketë, por mendoj se nuk mund të flasim për emra të përveçëm në këtë moment.
– Nga ajo që ndodhi së fundi në Maqedoni në lidhje me incidentin me policinë, ka ndonjë lëvizje të klubit korçar?
– Në Maqedoni mendoj se ishte thjesht një keqkuptim, asgjë më shumë se kaq. Sigurisht që situata nuk ishte e këndshme, pasi nuk na lanë të ndalonim për të drekuar, por çdo gjë kaloi dhe tani jemi duke menduar vetëm Dinamon e Zagrebit.
– Po nga UEFA e keni pasur ndonjë sinjalizim në lidhje me organizimin e ndeshjes?
– Deri tani, në të gjitha ndeshjet që kemi organizuar, kemi qenë super dhe kemi marrë vlerësimet maksimale. Edhe këtë herë do t’ia dalim, madje më mirë se çdo herë tjetër edhe për atë se do të jemi ne ata që do të festojmë në fund.
– Gerhard, realisht sa shanse ka Skënderbeu të shkojë në grupe?
– Me një stadium të mbushur dhe me një skuadër, që pritet të japë shpirtin në fushë, kemi shanse të mëdha.
– Po Shehi, a do të largohet pas ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, apo do të qëndrojë?
– Shehi nuk largohet kurrë nga Skënderbeu. Këtë e them unë me dëshirën time të madhe që ta kemi gjithmonë pjesë të skuadrës. Gjithsesi, ai do ta vendosë vetë.
– Së fundi, një parashikim për të enjten?
– Në grupet e Europa League shkon Skënderbeu dhe për këtë jam i bindur.