Mbrojtësi korçar ka pasur një kontraktim, por do të jetë të enjten, duke sakrifikuar për ekipin, ashtu si në Zagreb
Kristi Vangjeli foli dje pasdite për “Supersport”, pas stërvitjes, ku pësoi edhe një dëmtim. Mbrojtësi vuri në dukje rëndësinë e takimit me Dinamon e Zagrebit dhe premtoi se ekipi është gati të japë 100%-shin e tij për të arritur kualifikimin në fazën e grupeve: “Në takimin e kaluar mora një risk përsipër, duke luajtur i dëmtuar. Ende kam një kontraktim të vogël, por do të bëj maksimumin për t’u rikuperuar dhe për të qenë në dispozicion të skuadrës në këtë ndeshje të rëndësishme” – u shpreh mbrojtësi i korçarëve. Vangjeli e komentoi rezultatin e arritur në Zagreb si një arritje të korçarëve, të cilët janë përmirësuar shumë gjatë këtyre viteve, por nuk harroi të përmendë edhe largimin e shumë futbollistëve nga kampionët kroatë.
“Normalisht, jemi përmirësuar shumë, pasi u bënë vite që luajmë në këto nivele dhe kemi fituar mjaftueshëm eksperiencë për t’u përballur pa frikë ndaj këtyre kundërshtarëve. Por, edhe nga Dinamo e Zagrebit janë larguar disa futbollistë të rëndësishëm”, – tha Vangjeli.
DËMTIMI – Gjatë stërvitjes së djeshme Kristi Vangjeli ka “trembur” për një moment trajnerin Daja. Në mesin e seancës mbrojtësi i krahut të djathtë u shtri në tokë dhe stafi mjekësor i është afruar menjëherë. Vangjeli ka vetëm një kontraktim në këmbën e djathtë dhe për të mos rrezikuar la stërvitjen. Lajmi i dytë ka gëzuar disi Dajën, pasi nuk ka problem dhe sot pritet që Kristi të bashkohet me skuadrën. Këto probleme vijnë nga lodhja e madhe. Një problem të vogël ka pasur edhe Nimaga, por edhe ai nuk ka asgjë serioze.