Vera e vështirë për Barcelonën do të vijojë edhe pas gushtit. Largimi i Nejmarit, disfatat me Realin, përplasjet mes lojtarëve dhe drejtuesve të klubit, pikëpyetjet mbi të ardhmen e Lionel Mesit nuk “mjaftojnë”. Tashmë dhe një tjetër simbol i këtij ekipi, Andres Iniesta nuk e sheh dhe aq të sigurt të ardhmen në “Camp Nou”.
Vetë mesfushori i gjigantëve spanjollë ka lënë të kuptohet se me kalimin e viteve dëshira e tij për të vijuar me Barcelonën ka ardhur duke u venitur. Një deklaratë e tillë e tij lë shumë vend për diskutim, aq më shumë që ai dhe klubi nuk janë ulur ende në bisedime mes tyre për rinovimin e kontratës.
Në një intervistë të dhënë për gazetën më të madhe spanjolle “El Pais”, Iniesta nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të largohet nga “Camp Nou”. “Fakt është se unë nuk kam rinovuar me Barcelonën. Jam disi i turbullt në mendjen time, teksa më kanë ardhur mendime që jo më larg se 3 vjet më parë as që i kisha përfytyruar. Ky është një skenar që nuk e kam çuar ndonjëherë në mendje. Tani kam nisur të mendoj ndryshe për veten dhe për të ardhmen time”- ka thënë Andres Iniesta. Edhe në takimin e luajtur dje në mbrëmje në “Camp Nou” përballë Betisit, Iniesta nuk ka qenë fare i grumbulluar nga trajneri Ernesto Valverde.