Mats Humels është bërë futbollisti i dytë që do të dhurojë 1% të të ardhurave për bamirësi, pas lajmërimit të para dy javëve nga Huan Mata, i cili sfidonte gjithë futbollistët profesionistë ta bënin diçka të tillë.
Mata ndërmori një nismë të quajtur “Qëllimi i përbashkët”, që ka për qëllim të ndihmojë të rinjtë që nuk gëzojnë privilegjet si bashkëmoshatarët e vet në vendet më të zhvilluara.
“Sapo dëgjova për këtë nismë, e kuptova që ky ishte një shans për futbollin që të ndihmojë në përmirësimin e botës, ndaj dua të jem pjesë e tij”, tha Humels.
“Ne mund të bëjmë diçka më shumë, për të lidhur të ardhurat e jashtëzakonshme të futbollit me diçka që ka një qëllim më madhor. Ndaj më bëri përshtypje “Qëllimi i përbashkët”. Me një kontribut të vogël, me ndërtojmë një urë mes futbollit dhe impaktit të tij social në botë. U bëj thirrje gjithë kolegëve të mi, bashkohuni me Huanin dhe me mua, ta çojmë futbollin në nivelin e ardhshëm”, ka shtuar kampioni i botës.
Vendimi i Humelsit ka lumturuar Matan: “Nuk e njoh personalisht, ndaj u befasova dhe m’u bë shumë qejfi kur ai më kontaktoi. Ai e kupton çfarë po mundohemi të bëjmë dhe është shoku perfekt i skuadrës për ta pasur në krah në këtë fazë fillestare të projektit. Fakti që një kampion bote në fuqi, në kulmin e karrierës, zgjedh të bashkohet me këtë nismë, tregon fuqinë dhe magjinë e asaj që po bëjmë. Jam i bindur që edhe lojtarë të tjerë do të bashkohen me Humels”.