Situatë e çuditshme e treshes shqiptare të ish-Terek Groznit, që tashmë quhet Ahmat Grozni. Klubi çeçen i mori si investime të mëdha, por prej disa muajsh duket se ekziston një ftohje e madhe mes trajnerit të ardhur në fund të sezonit të shkuar, Kononov, dhe lojtarëve që sezonin e shkuar shkëlqyen. Që në prill e në maj aktivizimi i shqiptarëve pati rënie të theksuar, ndërsa fakti që nuk u larguan këtë verë krijoi përshtypjen se klubi besonte shumë te ta.
Tani bilanci i lojtarëve tanë është negativ, edhe për shkak të dëmtimeve, por këto nuk fshehin problemet.
Bekim Balaj ka luajtur në 3 nga 6 ndeshjet e para të sezonit dhe titullar ka qenë në dy fitore në korrik. Gushti ka qenë fatal për të, sepse pësoi një dëmtim dhe tashmë po i ndjek ndeshjet nga stoli.
E njëjta gjë edhe për Odise Roshin, që tashmë ka lënë pas dëmtimin dhe sot në Shën Petërsburg u aktivizua pas pushimit, kur Zeniti kryesonte 1-0. Përfundoi 4-0 (3 humbje rresht për Ahmatin), me Roshin që nuk mundi të bënte shumë ndaj një rivali tepër superior, por fieraku duhet të shqetësohet për situatën e tij, sepse nuk ka luajtur asnjë ndeshje titullar këtë sezon. Edhe Bernard Berisha ka probleme: vetëm një ndeshje titullar 144 minuta në fushë në 6 ndeshje, shumë pak për një mesfushor i cili në Rusi ka shkëlqyer që kur ka shkuar, nga Skënderbeu.