Mbrojtësi i Skënderbeut e njeh mjaft mirë Dinamon e Zagrebit, pasi është rritur në atë klub, por dëshira për ta mundur është e madhe për të
Leonard Trebicka
Pas Orges Shehit, lojtari më “veteran” te Skënderbeu është mbrojtësi Marko Radas. Prej vitit 2011 ai luan për Skënderbeun, duke qenë një nga pikat më të forta të tij. Te enjten luan në fushën e skuadrës, nga e cila ka dalë si futbollist, Dinamo e Zagrebit. Shumë herë Radas ka folur për mediet, por këtë herë ka emocione, sepse është rritur në atë stadium, ku do të luajë më 17 gusht. Ai e njeh më mirë se kushdo tjetër Dinamon e Zagrebit dhe ëndrra e tij është kualifikimi. Më 26 tetor mbush 34 vjeç, por është absolutisht një lider në repartin e prapavijës. Ai ka besim të madh se Skënderbeu këtë herë, ndryshe nga dy vite më parë, ka mundësi t’ia dalë ndaj Dinamos.
EMOCIONET – Kuptohet, të enjten ai do të ketë emocione më të mëdha se të tjerët, sepse luan në vendin e tij. Futbollisti kroat i Skënderbeut ka lindur dhe jeton në Zagreb. Ka dalë pikërisht nga shkolla e Dinamos së Zagrebit, ku ka luajtur për 7 vite. Ja fjalët e Marko Radasit, kroatit të vetëm të Skënderbeut, për ndeshjen e radhës në stadiumin “Maksimir”: “Kam shumë emocione përpara kësaj ndeshjeje, e ndjej. Nuk është e lehtë, që një ditë të kthehesh të luash në shtëpinë tënde. Jetoj në Zagreb dhe e kam shtëpinë vetëm 10 minuta larg më këmbë nga stadiumi. Kam dalë nga akademia e Dinamos së Zagrebit. Jam formuar aty si futbollist dhe, sa herë shkoj në Zagreb për pushime, kthehem në stadiumin “Maksimir”. Kam mall për atë stadium, por tani shorti më vendosi përballë ish-ekipin tim. Janë emocione të veçanta, që i sjell vetëm futbolli. Kjo është hera e dytë, që do të luaj në Zagreb ndaj ish-ekipit tim, por këtë herë jemi ndryshe’, – thotë mbrojtësi Radas, tashmë një korçar i vërtetë, pasi flet edhe me dialekt.
DINAMO – Marko Radas flet edhe me detaje për kundërshtarin kroat të Skënderbeut, edhe për “spiunët” kroatë, që janë përfolur gjatë këtyre ditëve. Ai ka ndjekur ndeshjen e fundit ndaj Rijekës, ku Dinamo e Zagrebit fitoi në transfertë: “Kam 3-4 shokë te Dinamo dhe sigurisht që do t’i takoj sapo të mbërrij në Kroaci. Jam rritur me ta, ndërkohë që i kam thënë edhe trajnerit Ilir Daja se Dinamo nuk është ajo e para dy viteve. Në atë kohë kishim trajner Mirel Josën. Gjithsesi, nuk dua të them se do të jetë e lehtë këtë herë, por është thjesht një ndeshje futbolli dhe kush do ta interpretojë më mirë, do të kalojë në turin tjetër. Skënderbeu është i etur për të dhënë më të mirën në këtë raund “play-off”-i. Spiunët kroatë? (Qesh) Nuk e kuptoj në fakt këtë fjalë, pasi sot nuk është e vështirë të gjesh informacion si për ne, por edhe për ta. Nuk besoj se kroatët do të dërgojnë njerëz të na ndjekin në stërvitje, pasi jemi një skuadër e njohur dhe shumë mirë, me anë të videove, na studiojnë si të duan ata, ashtu siç po i studiojmë edhe ne. Nuk ka pse të kemi frikë nga këta “spiunë”, por nëse vijnë në Korçë, i njoh unë. E kam ndjekur ndeshjen e fundit, që Dinamo luajti ndaj Rijekës në kampionat, në transfertë. Janë shfaqur në fushë një skuadër e fortë, por kemi shanset tona dhe themi se do t’ia dalim”, – ka përfunduar Radas.