Vucaj “sinjal” Vllaznisë, Laçi ngushëllohet me Rexhinaldon

Kapiteni nuk do të jetë pjesë e kurbinasve sezonin e ardhshëm. Një lajm që i shtang të gjithë, ndërkohë që javën e ardhshme vjen sulmuesi nga Mozambiku

Vladimir Prenga

Erjon Vucaj nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Laçit, pasi mësohet se pas seancës së ditës së enjte palët kanë mbyllur bashkëpunimin për të dytën herë dhe mesfushori shkodran tashmë është lojtar i lirë.

26-vjeçari u rikthye në Laç pas dy viteve e gjysmë që ishte aktivizuar me Flamurtarin e Tiranën, teksa te bardhezinjtë i dhanë sërish edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori i dha një dorë kurbinasve vjet për shpëtuar nga rënia prej Superiores. Në aventurën e dytë me Laçin ai u aktivizua në 15 ndeshje si titullar dhe shënoi një gol, por papritmas ka ardhur divorci. Gazeta ka kontaktuar me futbollistin dhe ai ka pranuar se nuk do të jetë pjesë e Laçit, gjë që konfirmohet edhe në klub, ndërkohë që sa i takon së ardhmes, për momentin Vucaj nuk është se po mendon shumë.

Siç edhe është bërë e ditur, në Shkodër ka pasur interesim për të, por afrimi i Edon Hasanit dhe Orelesit së fundmi bën që hapësirat aty të jenë ngushtuar. Gjithsesi, kalimi i tij në Shkodër nuk do të ishte aspak befasi, pasi trajneri Cungu mund të jetë duke menduar ta aktivizojë nigerianin si mbrojtës qendre, pasi ai repart për momentin ka nevojë për përforcime. Momentalisht nuk është se ka ndonjë gjë konkrete, por tashmë që Vucaj është lojtar i lirë dhe u mbetet kuqebluve ta kthejnë në skuadër mesfushorin.

MIQËSORJA DHE LËVIZJET
Sot do të luhet edhe ndeshja e radhës miqësore, e shtata për këtë verë, pasi më parë kurbinasit janë përballur me Teutën, Lirinë, Lushnjen, Kamzën, Vllazninë dhe Egnatian. Merkatoja është kryesorja dhe bardhezinjtë janë të përqendruar për të bërë të paktën edhe dy afrime. Drejtuesit kanë si objektiv të afrojnë një mesfushor të majtë dhe një mbrojtës të djathtë, por me gjasa do të tentohet edhe një tjetër qendërmbrojtës. Në miqësoren me rrogozhinasit Laçi kishte disa mungesa, teksa për arsye dëmtimi nuk u aktivizuan Jonuzi dhe Lushkja, ndërkohë që as Nika ende nuk ka kondicionin e duhur fizik, pasi ka nisur vonë përgatitjet me skuadrën. Gjithashtu nuk ishte nën urdhrat e trajnerit Nica as 21-vjeçari Emrush Kaloshi, për të cilin fillimisht u mendua se kishte ndonjë problem, por mësohet se ish-futbollisti i Korabit është larguar dhe nuk do të jetë pjesë e bardhezinjve sezonin e ardhshëm. Për krahun e djathtë të mbrojtjes prej kohësh në zyrat e klubit kurbinas ka pasur një ide për rikthimin e brazilianit Ademir Soza dhe me të mësohet se ka pasur bisedime dhe pritet të ketë të reja. Aktualisht ai është nën kontratë me Jakobina Esporte dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
REXHINALDO
Ndërkohë ka lajme të mira nga ana e sulmuesit Rexhinaldo, pasi futbollisti nga Mozambiku është pajisur me vizë dhe tashmë pritet të fluturojë drejt Shqipërisë. Kanë mbetur edhe disa burokraci të vogla dhe sulmuesi maksimalisht ditën e mërkurë do të vihen nën urdhrat e trajnerit Nica. Ish-sulmuesi i Luftëtarit është një nga afrimet më të rëndësishme të kurbinasve gjatë merkatos së verës, ndërkohë që pritet të ketë edhe lëvizje të tjera gjatë këtyre ditëve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *