Klubi i Kukësit i është përgjigjur deklaratës se sulmuesit Izair Emini, i cili deklaroi për “Sport Ekspres” arsyen pse kërkon largimin. Kukësi e akuzon tetovarin si jo profesionist.
“Kryesia e klubit të Kukësit reagon pas deklaratës së sulmuesit nënkontratë Izair Emini në shtypin e shkruar. Kukësi nuk e sheh aspak të hijshme deklaratën e tij dhe aq më pak profesionale. “Ua kam bërë të qartë se nuk është puna te lekët, por te çështja familjare, sepse nuk dua të shkatërroj familjen. Në fund të fundit do të lë futbollin që të ndihmoj familjen time. Ndaj them se s’ka asgjë më shumë për t’u druajtur, kjo është e gjitha”, – shprehet Emini, në gazetën “Sport Ekspres”.
Megjithatë, e vërteta është tjetër, pasi lojtari jo më larg se para një jave ka negociuar me presidentin Safet Gjici për kushtet financiare. Numri një i klubit e ka pritur sulmuesin mjaft mirë dhe i ka dëgjuar kërkesat e tij edhe pse ky i fundit është nën kontratë. Pas takimit, kampionët e Shqipërisë e kanë lajmëruar sulmuesin për t’u paraqitur në stërvitje, por ky i fundit nuk e ka bërë, madje ka dalë në stërvitje me skuadrën e Shkëndijës së Tetovës. Kukësi nuk mban “peng” asnjë futbollist, por të gjithë lojtarët nën kontratë duhet ta zgjidhin atë sipas pikave të parashikuara në të. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha klubet që interesohen për futbollistin në fjalë, ato duhet të paraqiten pranë klubit për të paguar kartonin e lojtarit nëse duan të sigurojnë shërbimet e tij“, përfundon postimi i Kukësit.