Takaj ka një thirrje: Dua gjithë Korçën në stadium!

Presidenti i Skënderbeut vjen dy ditë para ndeshjes në qytetin juglindor dhe ka një apel për gjithë tifozët: Kanë në dorë kualifikimin tonë!

Leonard Trebicka

“Nesër (sot) jam në Korçë. Do të qëndroj pranë ekipit deri në përfundim të ndeshjes ndaj Kairatit, ku besoj shumë se Skënderbeu do të kalojë më tej”, – pohoi dje për “Sport Ekspres” presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj. Ai ndjen emocionet e mëdha të ndeshjes së kthimit me kazakët, ku kualifikimi do ta lumturonte jo vetëm financiarisht. “Bosi” i korçarëve, pak orë pas kthimit nga Kazakistani, deklaroi se ishte shumë i kënaqur nga ajo që dha skuadra në ndeshjen e parë, në atë transfertë të vështirë, ku mori një barazim të merituar. Dy ditë para ndeshjes së kthimit presidenti Takaj është mjaft optimist, por ka një apel për të gjithë korçarët: “Tifozët janë ata që kanë një përqindje të madhe te kualifikimit tonë në dorë. Nëse do ta mbushin plot stadiumin, ekipi do të ndihet ndryshe. Nëse ka një ditë, kur duhet mbështetje maksimale për Skënderbeun nga e gjithë Korça, është e enjtja. Me ndihmën e të gjithëve bashkë mund t’ia dalim. Kam besim se do të shikoj një stadium të tejmbushur. Tani është radha e tifozëve”, – u shpreh presidenti Takaj, i cili nga sot do të jetë më pranë ekipit. Ai e ka merak pjesën e tifozëve, pasi një stadium i mbushur do t’i jepte më shumë zemër Skënderbeut dhe do të shtonte presionin te kundërshtarët. Presidenti Takaj dhe gjithë korçarët kanë përjetuar emocione të mëdha dy vite më parë dhe shpresojnë shumë t’i shijojnë edhe këtë verë.

ANALIZA – Pasi të mbërrijë në Korçë, presidenti Takaj do të jetë i pranishëm në ambientet e stadiumit “Skënderbeu”, ku në orën 18:30 do të ndjekë stërvitjen e radhës në fushën e re, që mezi e priste të përfundonte. Fusha është gati tashmë dhe në të po stërvitet ekipi për ndeshjen ndaj Kairatit. Një terren, që rrallë gjendet në Shqipëri. Numri 1 i klubit korçar do ta vëzhgojë ekipin në stërvitje dhe në darkë të zhvillojë një takim “kokë më kokë” me trajnerin Ilir Daja. Nesër do të bëhet analiza përfundimtare e ndeshjes me Kairatin dhe patjetër që në të nuk do të mungojë presidenti Ardjan Takaj, i cili do të thotë fjalët e fundit përpara ekipit. Sigurisht, karikimi nga ana e “bosit” do të jetë maksimal, pasi Skënderbeu më shumë se kurrë ka nevojë për optimizëm, në mënyrë që ta kalojë me sukses këtë pengesë aspak të lehtë.

IMPIANTI – E veçanta e ditës së parë të javës në Korçë ishte inaugurimi i fushës së re, pranë stadiumit “Skënderbeu”. Skuadra korçare, nën drejtimin e trajnerit Daja, kreu seancën e parë stërvitore në këtë fushë. Nuk është se u pre ndonjë shirit inaugurimi, siç ndodh rëndom në të tilla raste, por kjo fushë e re me bar natyral është një vlerë e shtuar për Skënderbeun. Stafi teknik ka mbetur i kënaqur nga ky terren i ri, ku Skënderbeu do të stërvitet. Skënderbeu pritet që në të ardhmen të ketë edhe fusha të tjera në dispozicion, pasi klubi korçar i kushton vëmendjen e duhur edhe infrastrukturës. Një klub shembull në vend në këtë drejtim dhe jo vetëm.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *