Ançeloti duhet të zgjidhë 6 çështje në Mynih

“Kicker” i paraprin sezonit të ri. Nga Leva te stili i lojës, italiani ka shumë punë për të bërë

Sezoni i dytë i trajnerit Karlo Ançeloti te Bajerni nuk do të jetë aspak i thjeshtë. Revista gjermane “Kicker” ka bërë një renditje të gjashtë çështjeve më delikate, të cilave italiani duhet t’u japë zgjidhje duke synuar në veçanti suksesin në Evropë. Lojtarët kryesorë të skuadrës janë çështje më vete, secili me nga një problematikë, kështu që 58-vjeçari duhet të jetë gati.

Levandovski – Sulmuesi para pak ditësh u shpreh shumë i zhgënjyer (me fjalët e agjentit të tij) për faktin që skuadra nuk e ka ndihmuar të bëhet kryegolashënues i kampionatit. Kjo nuk është pritur mirë në dhomat e zhveshjes së rekordmenëve dhe Don Karlo do të duhet të qetësojë gjendjen.

Riberi – Po, francezi është lojtar kryesor i Bajernit, por në disa ndeshje të rëndësishme, si ndaj Real Madridit, Ançeloti e ka zëvendësuar dhe 34-vjeçari ka reaguar keq. Ai duhet t’i bëjë mirë llogaritë, ashtu si trajneri, sepse Bajerni synon të blejë një lojtar tjetër anësor, plus që presion mund të bëjë edhe Koman.

Boateng – Dëmtimet e shpeshta, por edhe fakti që trajneri preferoi në qendër të mbrojtjes Humelsin dhe Martinezin në një ndeshje të madhe si gjysmëfinalja e Kupës së Gjermanisë, e kanë lëkundur humorin e lojtarit të kombëtares gjermane. Blerja e Zyles (20 mln euro) e ka rritur më shumë konkurrencën në mbrojtje, kështu që ndoshta në mbrojtje do të kemi tema të reja.

Myler – Në rreshtimin 4-3-3 ai nuk mund të jetë pjesë e formacionit, sepse nuk driblon dot, ndërsa me 4-2-3-1 i preferuari është Tiago. Vjet, kampioni i botës qëndroi në stol në pjesën më të madhe të ndeshjeve të rëndësishme. Ai nuk polemizoi, pasi e kuptonte që nuk ishte në formë, por vështirë se do të pranojë të jetë në hije edhe sezonin e ardhshëm.

Largimet – Lahm dhe Alonso nuk janë më pjesë e skuadrës dhe duhet gjetur mënyra më e mirë për kompensimin e mungesave të tyre. Ish-kapiteni ishte lider i padiskutueshëm, ndërsa Alonso lidhte spanjollët me gjermanët. Askush përveç tij nuk kishte mundur t’i kërkonte llogari Vidalit, kur ishte e nevojshme. Atëherë lind pyetja: Cili do të jetë në gjendje të vërë rregull vitin tjetër? Don Karlo shpesh është kritikuar për sjelljen e butë me futbollistët. A ka ardhur koha që ai të bëhet i ashpër? Ndoshta.

Stili –  Blerja e Tolisos, Rudit dhe Zyles janë rifreskim i skuadrës. Ritmi do të jetë më i lartë, ndoshta me humbjen disi të kontrollit të topit, por me vertikalizime më të shpejta. Pikërisht me këtë stil loje Bajerni arriti të fitojë Ligën e Kampionëve me Jup Hajnkesin dhe ndoshta kështu do të jetë vitin e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *