Trajneri ka zhvilluar analizën me ekipin. Pranon superioritetin e kundërshtarit, por kërkon përqendrim nga futbollistët e tij
Dita e djeshme ishte dita e analizës për ndeshjen e humbur ndaj Botevit. Trajneri Sulejman Starova së bashku me stafin e tij ka mbledhur të gjithë futbollistët në rezidencën e përhershme hotel “Vila Park” dhe kanë rishikuar momentet e golave dhe episodet kryesore të sfidës ndaj bullgarëve. Fjalët kanë qenë të tepërta, pasi edhe vetë tekniku i të kuqve ndryshe nga herët e tjera është treguar i ftohtë dhe nuk ka folur me tone të ngritura. Burime pranë “Sport Ekspres” bëjnë me dije se Starova e ka pranuar para lojtarëve faktin se ekipi i tij nuk ishte në ditën më të mirë dhe i mungojnë shumë gjëra. Ai nuk ka kërkuar që në sfidën e kthimit futbollistët e tij të mos jenë aq të mefshtë dhe të kenë më shumë energji.
FJALËT E STAROVËS – Tekniku i kua ka folur qetë me ekipin e tij në momentet që ka analizuar humbjen e madhe. “Ndeshja ndaj Botevit ishte shumë e dobët dhe e interpretuar keq nga ana jonë. Shënuam dhe nuk arritëm të administronim rezultatin. Jemi goditur dy herë nga goditjet nga larg, në thuajse në të njëjtin pozicion. Përveç golave, u goditëm edhe në një moment tjetër kur Nedelev gaboi. E pranoj se na mungojnë shumë gjëra, por duhet të jemi më të vëmendshëm”, – ka thënë ndër të tjera Starova. Një tjetër aspekt që trajneri i të kuqve është ndalur ka qenë edhe goli i tretë i pësuar pas një gabimi trashanik. “Pësuam golin e tretë dhe ishte një mungesë përqendrimi e Atandës. Nuk duhet të bëjmë gabime të tilla. Në Bullgari duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të eliminojmë gabimet e kësaj ndeshjeje. Të paktën gabimet tona trashanike”, – u shpreh Starova në analizën ndaj futbollistëve.
LARGIMI – Ikja nga pankina e “demave” është thuajse e sigurt, por në analizën e djeshme, Starova nuk ka folur për asnjë moment me futbollistët e tij për këtë gjë. Ai vazhdon punën normalisht duke trajnuar ekipin.