Në krye të Kukësit në miqësoren përballë Tiranës ishte zëvendëstrajneri Fatjon Tafaj. Pas ndeshjes, në prononcimin për mediet, Tafaj foli rreth elementëve të rinj, që u aktivizuan me Tiranën, pritshmërive me ekipin e parë në fazën përgatitore, por edhe problematikave që pati takimi i djeshëm.
MUNDËSIA – “Sot u aktivizuan lojtarët e rinj, që kishin ardhur në provë te Kukësi. Ishte e vetmja mundësi, që ne kishim për t’i vëzhguar. Duke pasur parasysh se me seancat stërvitore dhe me ngarkesën që kemi pasur me ekipin e parë për përgatitjet për Champions League, ishim të detyruar të paktën këtë mundësi t’ua jepnim këtyre të rinjve për t’i parë”.
PERFORMANCA – “Për momentin është e vështirë. Të vish te një ekip kampion, duhet të jesh minimalisht fizikisht shumë lart, gjë të cilën unë te lojtarët nuk e pashë. Mund të them se nuk më bindi askush”.
PROBLEMET – “Patëm probleme për tre lojtarë të rinj, të cilët ishin në plan për të luajtur, por ata patën problemet e tyre, dy ishin të dëmtuar, ndërsa tjetri për një arsye që ende nuk e dimë. Ishim të detyruar të merrnim një lojtar të Tiranës”.
FAZA PËRGATITORE – “Kemi katër takime miqësore. Nesër nisemi për Austri dhe vetëm një ditë më pas dot kemi testin e parë miqësor. Kemi pak kohë të përgatitemi, pasi ndeshja dihet që është më datë 11 dhe e kemi kohën të limituar, ndaj duhet të punojë sa më shumë, të paktën në ndeshje miqësore. Synimi është që përmes këtyre miqësoreve ta përgatisim ekipin sa më mirë dhe më shpejt të jetë e mundur”, – përfundoi Tafaj.