Pasi ka sistemuar mbrojtjen, duke afruar disa lojtarë mjaft cilësorë, Flamurtari tashmë po ribën mesfushën.
Emiljano Musta ka qenë goditja e parë në këtë repart, por vëmendja më e madhe është në qendër, ku Telushi e Shkodra kanë lënë një gropë të madhe.
Sot ka ardhur goditja e parë e rëndësishme, pasi “Sport Ekspres” mëson se mesfushori Muhamed Useini ka gjetur marrëveshjen me klubin vlonjat dhe nesër do të paraqitet në Vlorë për firmat dhe prezantimin.
Shqiptari 28-vjeçar nga Tetova luajti sezonin e fundit te Renova, ku ka pasur një rendiment të jashtëzakonshëm. Bëhet fjalë për një mesfushor difensiv, i aftë të lëvizë pa fund në mesfushë dhe të ndihmojë edhe sulmin, pasi sezonin e fundit në 29 ndeshje si titullar në kampionatin maqedonas shënoi 2 gola e dha 4 asiste.
Një mesfushor luftarak, Useini ka një teknikë të admirueshme dhe një përqindje pasimesh të sakta mjaft të lartë, 88% për ndeshje.
Në të shkuarën Useini ka luajtur për shumë vite te Shkëndija, ku është rritur, por ka kaluar një periudhë të shkurtër edhe te Rabotniçki. Pikërisht Shkëndija po këmbëngulte ta kthente në shtëpi Useinin, i cili ka qenë edhe kapiten i kuqezinjve tetovarë, përveçse mjaft i dashur për tifozët më besnikë të klubit, “Ballistët”.
Tani vjen eksperienca e parë jashtë Maqedonisë, ku ka kapur edhe fanellën e kombëtares. Natyrisht, bëhet fjalë për një transferim të kërkuar dhe të negociuar nga trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, i cili në Maqedoni ka punuar dhe e njeh mjaft mirë kampionat, aq më shumë që e ka pasur vetë në drejtim te Shkëndija Useinin.