Vladimir Prenga
Ansi Nika ishte një ndër futbollistët që u afrua në merkaton e janarit te Laçi dhe nënshkroi për gjashtë muaj, çka do të thotë që kontrata e tij ka përfunduar dhe tashmë është lojtar i lirë. Për shkodranin ka pasur interesim nga disa skuadra, ndërkohë që ai mbetet i hapur për të vijuar bashkëpunimin me Laçin, aty ku ai në dy fazat e fundit të kampionatit u aktivizua rregullisht në formacion. Në fund mesfushori iu gëzua qëndrimit në Superiore bashkë me shokët e skuadrës, duke bërë realitet një objektiv mjaft të vështirë, pasi kurbinasit kishin bërë një pjesë të parë të sezonit mjaft të dobët. Nika ishte protagonist me golin e shënuar ndaj Flamurtarit në fazën e tretë, gol që pati vlerën e tre pikëve dhe mbajti në garë bardhezinjtë për mbijetesën. Tashmë ai pret një telefonatë të presidentit Laska, për të biseduar për një zgjatje të mundshme të kontratës. Aktualisht ai është lojtar i lirë.
E SHKUARA – Nika erdhi te kurbinasit në janar, teksa la skuadrën e Tiranës vetëm pas gjashtë muajsh. Me bardheblutë hapësirat ishin të pakta, duke u aktivizuar në 8 ndeshje, ku vetëm katër prej tyre i nisi si titullar. Te Laçi ai i luajti të gjitha ndeshjet si titullar, konkretisht 15 përballje, ndërkohë që është formuar si futbollist te Vllaznia, por aty ka luajtur shumë pak, për t’u transferuar te Teuta, aty ku ai ka njohur kulmin e karrierës së tij. Për pesë sezone ai ishte pjesë e durrsakëve, duke luajtur më shumë se 100 takime në Superiore me ta. Nika ka luajtur edhe me Kukësin, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë, pikërisht kundër Laçit, skuadrës me të cilën mbylli sezonin e fundit.