Mbrojtësi ka prishur planet e teknikut Gjoka, i cili duhet të gjejë sa më parë një qendërmbrojtës. Kërkimi nis nga Superiorja
Jurgen Zela
Tashmë ka një çështje “Alla” tek Kukësi. Klubi pretendon se lojtari është nën kontratë dhe e pret në stërvitje, por në krahun tjetër lojtari vijon qëndrimin në Greqi me idenë se është një lojtar i lirë. Ky largimi i tij i pallogaritur ka vënë jo pak në alarm trajnerin Ernest Gjoka, pasi Alla konsiderohej një pikë e rëndësishme dhe për kupat e Europës. Burime pranë klubi të Kukësit bëjnë me dije se për lojtarin kanë nisur gjobat që prej ditës së djeshme dhe për çdo ditë që vonohet në stërvitje, shifra vijon dhe rritet.
QENDRA E MBROJTJES – Kukësi e nisi merkaton në dalje me pesë largime, ndërsa në hyrje ende asnjë lojtar nuk është zyrtarizuar. Prapavija dhe porta llogariteshin “të blinduara”, por tashmë situata është ndryshe. Alla ishte projektuar titullar së bashku me Shametin në qendër të mbrojtjes, ndërsa tani alternativa e vetme është Pashaj. Stafi i Kukësit ka nisur menjëherë kërkimet për një mbrojtës që të mos i lihet asgjë fatit, pavarësisht se si do të shkojnë bisedimet me Allën. Burime pranë lojtarit kanë konfirmuar se menaxheri i tij vijon tratativat me klubin e Kukësit për zgjidhjen e kësaj çështje, por ndeshjet në Champions League janë shumë pranë dhe nuk ka kohë për të pritur zhvillimet.
SYNIMET – Trajneri kërkon një mbrojtës që të përligjë së paku nivelin e ndeshjeve Champions, por dhe ta njohë kampionatin shqiptar, që të mos i duhet shumë kohë që të përshtatet. Pra, kërkohet një lojtar nga kampionati shqiptar. Aktualisht në treg nuk ka shumë lojtarë të lirë brenda Superiores, por ndërkohë ka edhe emra të ofruar nga jashtë Shqipërisë. Tregu ballkanas dhe ai brazilian janë në fokus, por herë për CV të varfër e herë nga frika se lojtarët e ofruar janë pa eksperiencë, te Kukësi po mendohen dhe po presin. Pas pak ditësh, para nisjes për në Austri, do të merret edhe vendimi final: nëse nuk kthehet Alla, do të afrohet patjetër një futbollist, i cili preferohet me eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare.