70 mijë euro për Sherif Tiraspol-Partizani, RTSH akuzon rëndë

RTSH nuk do të mund të transmetojë ndeshjen e kthimit mes Sherif Tiraspol e Partizanit, e programuar të zhvillohet nesër. Shkak janë bërë kërkesat e larta financiare të bëra nga klubi moldav. RTSH ka sqaruar gjithçka dhe hedh akuza për rivalin e Partizanit.

NJOFTIMI I RTSH – Rrugëtimi evropian i skuadrave shqiptare është shoqëruar gjatë gjithë verës në ekranin e RTSH që ka ndjekur hap pas hapi zhvillimet më të fundit, ndërsa nuk ka munguar as me transmetimet live të pjesës dërrmuese të ndeshjeve, një sakrificë jo e vogël në aspektin financiar.

Kukësi, Partizani, Laçi apo Teuta në duelet e tyre kontinentale nuk kanë munguar në ekranin publik, dritarja e vetme e transmetimeve ekskluzive gjatë muajit Korrik. RTSH u kujdes gjithashtu që pas sfidës së parë Partizani-Sheriff Tiraspol, të serviret falas për të gjithë shqiptarët edhe duelin e kthimit që do të luhet në Moldavi të enjten, por sjellja “anti-transmetim” e klubit moldav ka nisur qe përpara ndeshjes se parë në Tiranë duke bllokuar çdo mundësi që shqiptarët ta ndjekin në ekranin publik edhe duelin e dytë.

RTSH hyri në bisedime për të shkëmbyer sinjalin, pra me terma më të thjeshtë, të ofronte falas për moldavet transmetimin në Tiranë, në këmbim të transmetimit në Moldavi, ashtu si ndodhi me Qarabag, por përgjigja nga Klubi i Tiraspolit ka qenë e prerë pasi sipas tyre, nuk ju interesonte aspak transmetimi i ndeshjes së parë në Shqipëri. Kërkesës së RTSH për të blerë të drejtën televizive për ndeshjen në Moldavi, përfaqësuesit e Sherifit i janë përgjigjur me një shifër jo normale.

Shefi i klubit ka kërkuar 50.000 € për të drejtën e transmetimit, përpara se të luhej sfida në Tiranë. Ndërkohë që ditët në vijim, klubi i Sherifit ka shtuar dozën e kërkesave financiare deri në 70.000€ pa përfshirë kostot e prodhimit të sinjalit, një shifër e papranueshme edhe për një sezon dhe jo më për një ndeshje të vetme. Tallja e moldavëve ndaj transmetimit ka vijuar edhe në vendin e tyre, pasi të drejtën televizive për territorin e vet, ia kanë kaluar një televizioni lokal kabllor, TCB, i cili nuk transmeton në satelit, ndërkohë që duket qartë që në kronikën e këtij televizioni janë përdorur pamje të RTSH-së pa të drejta transmetimi, ashtu siç klubi ka bërë edhe në faqen e vet zyrtarë ku ka publikuar momentet më pikante të ndeshjes me logon e televizionit publik shqiptar.

Në këtë mënyrë, RTSH e ndjen për detyrë të informojë publikun shqiptar se ndeshja mes Sheriff Tiraspol dhe Partizanit nuk do të transmetohet për arsyet e sipërpërmendura, pavarësisht përpjekjeve dhe dëshirës së stafit të televizionit publik për të mos munguar as në këtë takim vendimtar për skuadrën e Partizanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *