Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo e ka marrë me shaka faktin se kalendari i rezulton 6 takime jashtë fushës së vet në 7 përballjet e radhës. Junajtid pritet ta “harrojë” “Old Trafford” përgjatë këtij muaji dhe tetorit, por Murinjo pret një reagim të fuqishëm nga ekipi që drejton. “Është shumë e vështirë të luash 6 nga 7 takimet e radhës jashtë fushe, por kjo do të thotë se më pas do të jetë disi më e lehtë – ka thënë Murinjo përpara udhëtimit drejt Sauthemptonit – Nëse ne do të luajmë kundër CSKA-së në Moskë dhe Benfikës në Lisbonë, kjo do të thotë se pas disa javësh do t’i presim në shtëpi. Kjo vlen dhe për Liverpulin e Hadërsfilldin. Në fund nuk jam asnjëherë i shqetësuar, sepse numri i ndeshjeve jashtë dhe atyre brenda do të jetë gjithnjë i njëjti. Natyrisht që është e vështirë të luash shumë ndeshje radhazi jashtë fushe, por ne shkojmë kudo për pikët e plota. E dimë se do të jetë e pamundur t’i fitojmë të gjitha, por nëse do të kemi alternime mes fitoreve dhe barazimeve do të isha i lumtur”- ka thënë Murinjo.