450 milionë për Vllazninë, problemi është… rikthimi në Superiore

Këto ditë Bashkia e Shkodrës ka miratuar buxhetin për futbollin, ku ka vënë në dispozicion 450 milionë lekë të vjetra. Krahasuar me vitin e kaluar, ky është një buxhet më i ulët, ndoshta nga fakti se Vllaznia ka zbritur në Kategorinë e Parë. Por, nëse kjo Vllazni do të ketë fatin që të ringjitet në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm, atëhere ndoshta do të kemi kalvarin e viteve të shkuara, kur skuadra shkodrane ka nisur rrugën bashkiake të vartësisë me kulm rënien nga Superiorja.

Nëse në Shkodër ia kanë hyrë një matematike të thjeshtë, në këtë rast nuk i kanë bërë mirë llogaritë me Vllazninë. Sepse me buxhete të tilla mund të mbyllësh vetëm një gjysmë sezoni, që në këtë rast shkon deri në muajin maj 2019. Ndërkohë që pas këtij muaji është edhe periudha më e nxehtë për përgatitjet e sezonit të ri, i cili veç organizimit, primare ka financat. Merkato, akomodimet e ekipit në fazë përgatirore dhe pagat, me këtë buxhet duket se do ta nxjerrin zbuluar Vllazninë, nëse ngjitet në Superiore.

Por, në Shkodër ka edhe një “barkë shpëtimi” për skuadrën që pretendon elitën: privatizimi i klubit. Ka rreth një vit që përflitet se do të ndodhë, madje ishte muaji prill i këtij viti si kufiri maksimal. Problematika me financat e së shkuarës e kanë mbajtur peng edhe këtë opsion të domosdoshëm për një skuadër futbolli, jo më për Vllazninë që fatkeqësisht është ende nën administrimin e Bashkisë. Kësisoj, skuadrat më shumë kanë dështuar, dhe buxheti i ri duket i kësaj rruge.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *