2018-a e Shkëmbit, Shqipëria, Kosova dhe zgjedhjet në FSHF

“Po kaloj një aventurë shumë të mirë në Prizren. Duka meriton një tjetër mandat”

Intervistoi: Gjergji Stefa

Korçë, Tropikal, Prizren, Ohër, Gjilan, Mitrovicë. 2017 e Bledi Shkëmbit ka qenë një vit i mbushur me udhëtim. Audi personal me targën 010, si numri që mbante në fanellë, nuk ka pushuar asnjëherë. Për pak harruam Tiranën. Digitalb. “Ka qenë një përvojë unike. Më ka mësuar se si t’i shoh gjërat me një tjetër këndvështrim. Gjithnjë i kam parë ndeshjet nga fusha ose nga pankina. Por nga studio ishte tjetër gjë”. Kapiteni më i rëndësishëm i futbollit shqiptar në 1 korrik mori një vendim. Trajner i mirë nuk bëhesh duke qenë ish-lojtar i mirë. Ju kujtua vetja 20 vjeç kur drejtuesit e Teutës takuan të atin e tij. “Jepini djalit sa të doni, vetëm ma bëni sportist”. Djali pranoi ofertën e Lirisë së Prizrenit, një skuadër që kish 24 vite pa dalë kampion dhe që sezonin e shkuar kish grumbulluar 37 pikë në 33 ndeshje. “Çfarë duhet të bëj unë këtu?”, pyeti veten. Presidenti i klubit Mirsad Çollaku i dha një puro dhe i tha: “Bëj Bledi Shkëmbin”. Asnjë objektiv.

– Si lindi ideja Prizren. A e kishit menduar që mund të ishit trajner i Lirisë në kampionatin kosovar?

– Miq të përbashkët i propozuan drejtuesve të Prizrenit emrin tim. Nderim Nexhipi, që është shumë pranë financuesve dhe presidentit të Lirisë, vuri veton. Me Nexhipin madje sot bëjmë shaka. Unë lirova vendin në studion e “Gol pas goli” për të pasi pranova ofertën e Lirisë. U bë gjithçka shumë shpejt. Pati kimi profesionale. Që në momentin e parë që i takova drejtuesit ndërgjegjja më tha: janë njerëzit e duhur.

– Si janë presidentët në Kosovë. Ti vetë e di që në Shqipëri ndonjëherë janë dhe të bezdisshëm?

– Unë kam punuar me presidentin i Lirisë, Mirsad Çollaku. Asnjëherë nuk kam folur në publik për të, me frikën se njerëzit do mendonin se po e bëja për servilizëm. Sot ai nuk është më president, ka dhënë dorëheqjen sepse ka marrë postin e zëvendëspresidentit në federatën e Kosovës. Ai është miku im i madh, nuk është vetëm presidenti. Në këto 7 muaj ka qëndruar çdo ditë me orë të tëra me mua dhe kemi folur shumë pak për futboll, me të flisja vetëm 10 minuta në ditë për ekipin. I është gjendur skuadrës pranë në çdo drejtim, është munduar dhe ia dalë të koordinojë gjithë aspektin financiar dhe as nuk bëhej fjalë për ndërhyrje teknike. Është ish-futbollist i nderuar dhe biznesmen. Respekt maksimal. Asgjë nuk do ndryshojë. Ne sërish çdo ditë do drekojmë dhe darkojmë bashkë.

– Liria sezonin e shkuar kishte zënë vendin e tetë. Çfarë objektivi keni këtë sezon?

– Minimalisht vendi i katërt. Drejtuesit nuk më vunë asnjë presion. Buxheti është normal, por korrektesa është e habitshme. Në këtë klub kam njohur burra. Kontratat nuk kanë vlerë. Nëse thonë diçka, e bëjnë. Fjala na mban të gjithëve të bashkuar. Por, është një kampionat i vështirë dhe me shumë konkurrencë.

– 6 pikë nga vendi i parë, nuk duket si një mision i pamundur?

– Asnjëherë nuk e kam thënë fjalën titull. Futbolli dhe kampionati kanë logjikë. Ka skuadra që kanë investuar më shumë se ne. Megjithatë, jemi një kockë e fortë për këdo. Ndoshta në kupë do jemi shumë ambiciozë, ndërsa në kampionat do luftojmë deri në fund. Janë 7 skuadra me 7 pikë diferencë. Askush nuk mund të bëjë parashikime.

– Si shpjegohet që në fushën tuaj jeni shumë të fortë, ndërsa jashtë saj jo dhe aq?

– Për ndeshjet brenda jemi në vend të parë. Kemi mundur Llapin, Prishtinën, Dritën dhe Trepçën ’89, që janë skuadrat më të mira. Madje në këto ndeshje nuk kemi pësuar asnjë gol. Jashtë fushës ndoshta nga pikëpamja psikologjike kemi vuajtur disi. Megjithatë, në ndonjë rast nuk kemi pasur dhe fat. Në tri ndeshje jemi ndëshkuar në sekondën e fundit të shtesës.

– Si është performanca e lojtarëve që morët gjatë verës nga Shqipëria?

– Unë nuk i ndaj lojtarë në shqiptarë dhe kosovarë. Për mua lojtari ka personalitet dhe jo pasaportë. Nuk kam bërë zgjedhje etnike, por profesionale. Nuk do flas për asnjë lojtar në veçanti. I kam të gjithë njësoj.

– Megjithatë, ata kanë një përgjegjësi më të madhe?

Ata janë lojtarë si gjithë të tjerët.

– Ju keni një skuadër me moshë mesatare të re. Sa ndikon dika e tillë?

– Disa lojtarë tanët dhe sot që flasim janë të grumbulluar nga Shqipëria e Kosova e madje janë në turnetë që po zhvillohen në Turqi. Prizreni është një rajon me traditë në futbolli dhe puna që bëhet në sektorin e të rinjve është shumë e mirë.

– Pse vendosët që kapiteni i skuadrës të jetë një 20-vjeçar?

– Vendimet në lidhje me grupin i marr unë dhe në rastin konkret pashë që të gjithë lojtarët ishin të kënaqur me faktin që Korenica do të mbajë shiritin e kapitenit.

– Në Kosovë po punojnë dhe Josa dhe Magani. A keni kontakte me ta dhe si e shihni faktin që trajnerë shqiptarë vijnë në Kosovë?

– Me Josën u takova në ditët e para të këtij viti. Madje qëndruam për darkë bashkë me miq të përbashkët. Është gjithnjë një kënaqësi që të ndaj kohën time me trajnerin me të cilin kam fituar 4 tituj radhazi. Me Maganin ende nuk jam takuar, sepse për momentin ai gjendet në Mitrovicë, ndërsa unë në Tropikal, por i uroj sukses në këtë aventurë.

– Djali i Maganit luan me ju.

– Po, Arturi është një nga sulmuesit tanë.

– A do jetë problem përballja direkte?

Magani ka dy djem, njëri prej tyre luan me Lushnjën. Ai (Endri) është mbrojtës dhe një nga arsyet që Lushnja e mundi Teutën ishte forma e tij e mirë. Shpresoj që Arturi, djali tjetër i Maganit, të shënojë gol kundër Trepçës 89. Në ato 90 minuta, unë po e po, por dhe Arturi e ka të atin armik sportiv. Pas ndeshjes do darkojmë të gjithë bashkë.

– Si është niveli i trajnimit në Kosovë?

– Kjo është përvoja ime e parë si trajner dhe nuk kam asnjë të drejtë morale dhe sidomos në raport me përvojën të gjykoj punën e trajnerëve që kanë më shumë vite se unë në pankinë.

– Cila është pika më e fortë e skuadrës suaj?

– Mënyra se si klubi ka trajtuar projektin deri në këto momente. Gjërat kanë shkuar ashtu si i kam parashikuar. Jam shumë i kënaqur nga të gjithë lojtarët. Sidomos për sjelljen dhe impenjimin e tyre.

– Po pika më e dobët?

– Besimi në vetvete nuk është diçka që vjen me një gjysmë sezoni. Njerëzit nuk besojnë se ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ndonjëherë as vetë ne nuk e besojmë. Vetëbesimi duhet të na karakterizojë në pjesën e mbetur të këtij edicioni.

– A keni afruar lojtarë të tjerë në këtë merkato?

– Raporti shumë i mirë që kam me trajnerin e Flamurtarit Shpëtim Duro më ndihmoi që një prej sulmuesve të tyre, Tungara, të vijë huazim në Prizren. Duron e kam mik që nga koha që e kam pasur trajner në Korçë. Ndërkohë së fundmi kemi arritur marrëveshjen me Kajën, mbrojtës që unë e njoh mirë sepse si lojtar e kam pasur shpesh kundërshtar në kampionat. Nëse në orët e fundit do dalë diçka okazion, ndoshta do ta tentojmë. Për momentin jemi OK.

– Tre ndeshje miqësore, 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje?

– Nuk jam i kënaqur nga ajo çka kemi bërë në ndeshjet miqësore. Pres më shumë nga skuadra.

– Stërvitjet pak a shumë i bëni në shtëpi, sepse Tropikalin ju e njihni mirë.

– Ndihem shumë mirë në këtë rezort. Falënderoj familjen Takaj, sepse ata që në momentin e parë kur vendosa të bëja përgatitjet këtu,më ofruan gjithë komoditet.

– A mund të ketë lojtarë nga formacioni juaj që mund të luajnë në një të ardhme në Superiore?

– Të paktën 5. Por nuk mund të jap asnjë emër.

– Kë shihni rival për kreun?

Ekipet vlerësohen nga rezultatet. Nëse dikush është para nesh, jo vetëm ka diçka më shumë, por ndoshta edhe ka bërë diçka më shumë se ne. Favorit nuk mund të them kush është. Të shtata skuadrat që ndahen nga 7 pikë mund të jenë fituese të kampionatit.

– Si është kampionati, në përgjithësi, organizimi?

– Në rritje të vazhdueshme. Kudo po ndërtohen fusha dhe stadiume. Në Prizren po ndërtohet stadium, në Podujevë, në Prishtinë. Federata kosovare e futbollit nuk ndikon në garë, por ndihmon klubet. Presidenti i federatës Fadil Vokrri është një njeri shumë popullor në futboll dhe nëse vazhdon kështu do bëhet po aq i rëndësishëm sa edhe Duka për futbollin shqiptar.

– Meqë jemi te Duka, cili është raporti juaj me presidentin aktual të Federatës shqiptare të futbollit?

– E kam mik, e respektoj shumë dhe shpesh dëgjohemi me njëri-tjetrin.

– A e njihni rivalin e tij Bashkim Fino?

Personalisht jo. Si politikan gjithnjë më ka imponuar respekt. Finon e njoh vetëm nga parlamenti dhe me thënë të drejtën nuk e kam parë ndonjëherë të bëjë luftë për sportin në parlament.

– Në Shqipëri ka shumë zhurmë në lidhje me zgjedhjet.

– Kam luajtur gati dy dekada futboll dhe më kanë parë sytë gjithçka. Nga marrëdhënia personale apo miqësia e respekti për Dukën nuk kam përfituar asnjëherë asgjë. Kam qenë zot i këmbëve të mia, kam luajtur në Greqi, Kroaci e Ukrainë, e pranoj me kënaqësi që kam fituar shumë pra dhe jetoj mirë nga futbolli falë aftësive të mia. Nëse do kisha një votë në dorë, do ia jepja me të dyja duart Dukës. Në këto 16 vite futbolli shqiptar është zhvilluar në mënyrë të pabesueshme, fushat e stërvitjet e stadiumet para tij kanë qenë një masakër, ku bari nuk mbinte as në pranverë. Kishte dhunë, futbolli ishte kapur nga njerëz agresivë, gjyqtarët ishin të trembur ose të korruptuar. Gjërat u rregulluan dalëngadalë. Sot kampionati shqiptar vlen më shumë në rajon, dhe se ai maqedonas, boshnjak, madje si nivel mund të afrohet me kroatin. Janë bërë fusha, stadiume dhe Shqipëria është dikushi në arenën ndërkombëtare. Për të mos folur për kombëtaren, ku rezultatet flasin vetë.

– Shumë thonë që është koha për ndryshim?

– Unë kam dhe konflikt emocional interesi, sepse e kam mik Dukën dhe në një garë dua që të fitojnë miqtë e mi. Por, nëse nuk do e mendoja realisht dhe me ndërgjegje, ndoshta s’do flisja fare për të. Do doja me gjithë shpirt ta shihja fitues dhe jam i bindur që kështu do jetë. Komuniteti i futbollit, presidentët, trajnerët, klubet janë pothuaj të gjithë me të. Kritika ka kushdo, por ai është njeriu i duhur për të menaxhuar futbollin shqiptar.

– Si është jeta në Kosovë?

– E këndshme. Po e shijoj. Prizreni është si Korça. Qytet i vogël, por shumë i emancipuar. Kam bërë shumë miq këtu dhe ndihem shumë mirë.

– A ju merr malli për Superioren?

– Unë mundohem të shoh çdo ndeshje në televizion. Nuk jetoj me mall. Puna e trajnerit nuk ka atdhe. Sot mund të në Kosovë, nesër në Afrikë. Nuk hyj te nostalgjikët dhe as nuk dua askujt t’i tregoj në vendin tim që di të bëj diçka. Ky është tregu i hapur dhe bota është globale.

– Thoni të vërtetën, a menduat ndonjëherë në fillim: Unë Bledi Shkëmbi, lojtari më i mirë i 10 viteve të fundit, të marr një skuadër modeste në Kosovë për ta drejtuar?

– Jo. i kam idetë e qarta në kokë. Nuk e zgjedh vendin ku shkoj, e zgjedh tregu. Panuçi ka qenë gjithçka dhe drejton Shqipërinë. Ze Maria ka luajtur 50 ndeshje me Brazilin dhe drejton Tiranën. Jam shumë i lumtur te Prizreni dhe uroj me shpirt që këtu të bëjmë gjëra të mëdha.

– Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria?

– Bashkëshortja dhe vajzat e mia. Kanë sakrifikuar shumë dhe vazhdojnë ta bëjnë në emër të pasionit tim për futbollin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online