Albert Serran është zyrtarisht një futbollist i Kukësit. Mbrojtësi spanjoll, i cili kishte gjetur marrëveshjen paraprake ditë më parë, sot është paraqitur në selinë e Kukësit dhe pas bisedimesh të gjata, ka gjetur akordin, nën shoqërinë e menaxherit Kosta Grillo.
Bëhet fjalë për një lojtarë me një “CV” mjaft të pasur, i lindur në Barcelonë dhe i formuar si futbollist tek akademia e Espanjolit. Më parë është aktivizuar dhe në Angli, në Championship te Suonsi, por dhe në Segunda Divizion në Spanjë me Alkorkonin. Një lojtar i shpejtë, teknik dhe pika e tij më e fortë është lufta në ajër.
Pas largimit të Allës, Serran është projektuar titullar dhe përshtatja sa më parë e tij me skuadrën është mjaft e rëndësishme. Së bashku me Shametin pritet të formojnë një dyshe të fortë për sezonin e ardhëm, ndërsa alternativë është edhe Rustem Hoxha. Fakti që sezonin e fundit me ish-skuadrën e tij Doksa, në Qipro, Serran është aktivizuar në 25 takime, nga të cilat 24 prej tyre nga minuta e parë, tregon se gëzon një formë të mirë sportive dhe përshtatja e tij me Kukësin mund të mos dojë shumë kohë.
Lojtari ka firmosur për një sezon me Kukësin, me opsion rinovimi dhe për një vit tjetër.