ZYRTARE/ Firmosin, Halili, Zefi, Arrabal e Idrizaj, vjen dhe përgatitësi atletik

Përgatitjet për sezonin e ri ecin me ritme të larta. Programohet miqësorja e radhës me Erzenin, e cila do të luhet në fushën e rinovuar

Kamza vijon punën me intensitet, pasi përpara e pret një sezon mjaft i ngjeshur dhe i vështirë. Me synimin e qartë për të mos qenë kalimtarë në elitë, presidenti Qarri dhe kryebashkiaku Mziu po punojnë shumë që të formojnë një skuadër kompetitive, e denjët për të garuar në Superiore. Fakti që gjithçka po ndërtohet nga e para e vështirëson akoma më shumë punën, por duket se gjithçka është në rrugën e duhur.
AFRIMET – Siç pritej në seancën e djeshme stërvitore në Kamzës, bashkë me ekipin janë bashkuar dhe portieri Argent Halili dhe mbrojtësi Hektor Idrizaj. Halili do të mbrojë portën e Kamzës në sezonin e ardhshëm dhe pas eksperiencave të suksesshme, me Flamurtarin, Kastriotin dhe Kukësin tashmë do të mbajë mbi shpatulla një detyrë që me eksperiencën e tij të mbajë Kamzën mes 10 më të mirave. Së bashku me vlonjaten, me grupin është bashkuar dhe Hektor Idrizaj, i cili hodhi të zezën mbi të bardhë së bashku me Halilin vetëm dy ditë më parë. Një siguri më shumë për teknikun Ramadan Ndreu, pasi 28-vjeçari është aktivizuar në radhët e korçarëve sezonin e fundit. Kamza është në pritje të Bruno Arrabal dhe Alfred Zefi, me të cilët po ashtu ka arritur një marrëveshje dhe shumë shpejt do të jenë të gatshëm për Ndreun. Sot ka ardhur dhe prezantimi zyrtar
PËRGATITËSI ATLETIK – Luka Karlo Guerra është emri i përgatitësit të ri atletik të Kamzës. Italiani ka një CV-i të pasur si trajner i përgatitjes atletike, pasi më parë ka punuar tek U.S Folgore Karateze, Tatabanja, Budapest Honved, si dhe ka mbaruar universitetin e Pizës në profilin futboll. Luka Guerra, përveç detyrës së përgatitësit atletik, do të kryejë njëkohësisht edhe rolin e ndihmëstrajnerit të Ramadan Ndreut. Një afrim me shumë vlerë që e rrit eksperiencën në radhët e stafit teknik. Ndreu së bashku me Guerran do të ideojnë dhe lëvizjet e tjera në merkato, pasi ka ende shumë punë për të bërë.
MIQËSORJA – Në kuadër të përgatitjeve, Kamza do të zhvillojë testin e radhës miqësor. Kundërshtar do të jetë Erzeni. Synimi është konsolidimi i skuadrës dhe përshtatja e elementëve të rinj. Ndeshja do të luhet në stadiumin e Kamzës, që tashmë është gati që të presë një ndeshje, pas rinovimit të ju bë tapetit të stadiumit. Në sektorët e tjerë puna vazhdon me ritme të larta, pasi kampionati do pak më shumë se një muaj që të nisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *