Ze Maria ndez sfidën kundër Vllaznisë: Plaga është ende e hapur

Tirana-Vllaznia është ndeshja më e madhe në 1/8-at e Kupës dhe rëndësia e kësaj sfidë rritet nga fakti se përballen dy skuadra me histori të madhe, që vetëm pak muaj më parë u ndeshën në një finale për qëndrim në Superiore dhe barazimi 0-0 zbriti Tiranën.

Trajneri aktual i Tiranës nuk ishte atëherë, por Ze Maria e di mirë rëndësinë e sfidës së nesërme (18.00) në Selman Stërmasi: “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për popullin bardheblu, por edhe një ndeshje e vështirë, sepse plaga është ende e hapur. Kam folur me djemtë për atë çfarë ndodhi sezonin e shkuar, por ajo është e kaluar dhe ne jemi një skuadër tjetër, prandaj duhet të luajmë ndaj një ekipi të Kategorisë Superiore. E respektojmë Vllazninë sepse sot qëndron një kategori më sipër, por ky fakt nuk do të na detyrojë të ndryshojmë mentalitet. Është një përballje që zgjat 180 minuta. E kemi studiuar Vllazninë dhe do të kërkojmë të bëjmë më të mirën. Jam i sigurt se mund të luajmë si të barabartë kundër çdo skuadre të Kategorisë Superiore. I njoh mirë lojtarët e mi dhe kam besim të verbër tek ata”.

Ze Maria vlerëson kundërshtarin: “E kam ndjekur disa herë Vllazninë dhe mund të them se është një skuadër që nuk e meriton vendin që ka në klasifikim. Janë një skuadër që është mësuar me presionin e Kategorisë Superiore, por ne duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë në shtëpinë tonë për të marrë një rezultat pozitiv në përballjen e parë”.

Temë e ditës mbetet dhënia e shiritit të kapitenit sulmuesit Sentamu: “Nuk e kam kuptuar ende pse duhet të bëhet një çështje kaq e madhe. Karabeci dhe Lika janë liderë të kësaj skuadre, por në transfertën e Shënkollit zgjodha Sentamun për ta mbajtur shiritin pasi ai është një shembull për të gjithë të tjerët për mënyrën sesi stërvitet. Në vend të tij mund të ishte Daja apo çdo lojtar tjetër, zgjodha atë për të treguar se kur lojtarët stërviten me seriozitet, të gjithë mund të jenë kapitenë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *