Vucaj stërvitet me Luftëtarin, firmos sulmuesi Milosavljev

Mesfushori shkodran pritet të zëvendësojë Rrocën e dëmtuar në ndeshjet europiane. Serbi firmos kontratën dhe pritet edhe një sulmues i huaj

Gëzim Beqiri

Gjirokastritët mësojnë nesër kundërshtarin në Europa League, pasi është dita e shortit. Është pjesëmarrja e parë e tyre në këtë veprimtari dhe shpresojnë të kenë pak fat për të shpresuar kalimin e turit. Nga ndarja e skuadrave në vazo, dihet se do të përballet me skuadra me futboll të përparuar, por kurioziteti është se në cilin shtet të Europës do të udhëtojë Luftëtari. Sidoqoftë, gjirokastritët do të kërkojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze, pavarësisht kundërshtarit. Për këtë qëllim ekipi vazhdon përgatitjet intensive dhe nga dje është kaluar me dy seanca stërvitore në ditë. Krahas stërvitjes, po vazhdon edhe  përzgjedhja e futbollistëve. Dje ishin në fushë 27 futbollistë dhe trajneri Kostiç po vëzhgon të gjithë të rinjtë.

MILOSLAVJEV – Portieri Bukovski, Janiçiç dhe Milosavljev janë tre lojtarët e ardhur nga kampionatet e huaja. I fundit që ka firmosur është sulmuesi serb, Vladan Milosavljev, i cili tashmë është zyrtarisht pjesë e gjirokastritëve dhe konsiderohet zëvendësuesi i Bregut. Pritet edhe një tjetër futbollist i huaj, që do t’i bashkohet Luftëtarit jo vetëm për ndeshjen e Europa League, por edhe për kampionatin.

VUCAJ – Drejtuesit e Luftëtarit janë në bisedime me disa futbollistë vendas për t’i pasur në formë huazimi vetëm për ndeshjet e Europës, siç është rasti i shkodranit Erjon Vucaj, për rolin që ai luan në ekip, ku duhet të plotësojë mungesën e Eduard Rrocës. Mesfushori është stërvitur dje me ekipin në Gjirokastër, pasi shfaqet edhe në një video të publikuar nga vetë klubi gjirokastrit. Nga drejtuesit e klubit jugor ai ende nuk është zyrtarizuar, por përderisa po stërvitet në Gjirokastër, atëherë me shumë mundësi do të jetë pjesë e ekipit për ndeshjet e Europa League.

GRUPI – I pari futbollist i huaj i ardhur te Luftëtari është portieri Bukovski, i cili zëvendëson grekun Athanasopulos. Në mungesë të mbrojtësit të qendrës, Jakovljeviç, për arsye shëndetësore, është afruar boshnjaku Nemanja Janiçiç. Për repartin e sulmit ka ardhur nga ekipi grek i Trikallasë serbi Vladan Milosavljev dhe i fundit pritet një tjetër sulmues, që trajneri Kostiç vetëm sa i ka përmendur numrin 10 të fanellës. Kjo ka lidhje me vendosjen në repartin e sulmit, çka nënkupton rolin e tij si sulmues qendre. Me këtë të fundit, por edhe Vucajn të huazuar, Luftëtari do të ishte i kompletuar për ndeshjet europiane.

TË RINJTË – Janë të shumtë të rinjtë e afruar në fazën e tanishme të përgatitjeve, ku kanë rënë në sy Oshafi, Ziaji, Xhymerti dhe Andoni, të aktivizuar si sulmues në ekipet e mëparshme. Ata mbeten alternativa nga fakti se po afron jo vetëm ndeshja e turit të parë të Europa League, por edhe kampionati. Duhet jo vetëm kohë për t’u përgatitur, por edhe eksperienca e nevojshme për t’i shërbyer skuadrës. Jo pa qëllim kërkohen futbollistët të tjerë dhe të jenë të gatshëm të plotësojnë mungesat e të larguarve nga ekipi në përfundim të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *