Tomisllav Bushiç, një “lab” te Flamurtari

0

Moisi Dalipi

Me sulmuesin e Flamurtarit , kroatin 31-vjeçar Tomisllav Bushiç, nuk e ke shumë të vështirë të komunikosh. Me një shqipe tepër të kuptueshme bisedon me të shumë qartë dhe kupton mendimet dhe botën e tij të brendshme. Fakti që ky sulmues kroat përveç Flamurtarit ka dhe dy eksperienca te tjera në futbollin shqiptar, në sezonin 2013 -2014 tek Vllaznia dhe 2014 -2015 tek Tirana, e ka ndihmuar jo pak për të mësuar të flas mirë gjuhën shqipe. Edhe pse duhet pranuar se në futbolli ka një gjuhë të përbashkët komunikimi, atë të futbollit të luajtur në fushën e lojës. Dhe pikërisht rreth këtij motivi kryhet dhe biseda me të. Por tani është pak më ndryshe për Bushiç, sepse duhet të flasë e komunikojë jo si shkodran e tiranas, por si vlonjat, me një labçe pak të zbutur. Vlora dhe skuadra e Flamurtarit kanë dy sezone që ia kanë dhënë këtë “privilegj”. E thënë më qartë, kroati Bushiç ka filluar të ndihet mirë si lab. Këtë ambient, këtë opinion që shpeshherë kthehet dhe kënaqësi personale, ia kanë dhënë paraqitet e tij tek skuadra e Flamurtarit. Ai u transferua në Vlorë në fillim të sezonit kaluar dhe menjëherë ra në sy për cilësitë e futbollistit profesionist. Përvojat e viteve të kaluara tek skuadrat kroate Hajduk Split e Slaven Belupo , ajo izraelite Makabi Petah Tikva, me Simurk në Azerbajxhan e PBDKT T-Team në Malajzi, por në veçanti ajo me Vllazninë e Tiranën kanë formuar tek ai bindjen se futbolli i bukur luhet kur i përkushtohesh në maksimum atij.

 

Në kampionatin e sezonit kaluar Bushiç është aktivizuar 28 ndeshje tek Flamurtari dhe ka shënuar 10 gola. Ndoshta shifrat e golave të shënuar do ishin edhe më shumë, po të ndodhte që të përshtatej më shpejt grupin e futbollistëve vlonjatë. Megjithatë, numri i golave të shënuar në kampionatin e kaluar i ka dhënë sulmuesit kroat të drejtën për të qenë golashënuesi më i mirë për Flamurtarin. Me më shumë dëshirë, me më shumë motivim, me rendiment të plotë ka filluar kampionati këtij sezoni për këtë sulmues race, që në shumë ndeshje të fazës parë të kampionatit ka treguar se është përcaktues me golat e shënuar për Flamurtarin. Kështu, në 9 ndeshjet e fazës parë, ku është aktivizuar me kohë të plotë, Bushiç ka shënuar ka shënuar 6 gola, duke qenë vetëm një gol më pak se golashënuesi më i mirë, Bakaj i Kukësit. E veçanta e golave të shënuar nga sulmuesi kroat i Flamurtarit qëndron në faktin se ai ka shënuar në ato ndeshje ku skuadra ka fituar ose ka barazuar. Pra, e thënë më qartë, golat e shënuar nga Bushiç i kanë shërbyer jo pak Flamurtarit të këtij sezoni. Pyetjes se a do jetë Bushic në garën për golashënuesin më të mirë të këtij kampionati kroati i përgjigjet shkurt: “Nuk e mendoj asnjëherë që golat që duhet të shënoj për skuadrën të shërbejnë për suksesin tim personal. Më shumë më intereson të kryej mirë detyrën si sulmues që Flamurtari të arrijë të jetë pjesë e grupit të skuadrave më të mira të këtij kampionati”. Modesti e admirueshme, kur e thotë një futbollist profesionist që në karrierën e tij 15-vjeçare si futbollist në katër nivelet e ekipeve kombëtare të moshave të Kroacisë dhe 9 skuadrat e futbollit profesionist që është aktivizuar deri tani ku ka shënuar plot 100 gola (pa përfshirë këtu 28 golat të shënuar në ndeshje kupash). Një temë e diskutuar dhe lakuar jo pak në opinionin sportiv në prag të këtij sezoni rreth këtij futbollistik ka qenë çështja e shiritit: A i takon Bushiçit të jetë kapiten i Flamurtarit? Më parë tek Flamurtari në sezonin 2008-2009 shiritin e kapitenit e ka mbajtur mbrojtësi kroat Branko Paniç dhe në shumë ndeshje të sezonit 2011-2012 sulmuesi po kroat Pero Pejiç. Drejtuesit e vendosën të jetë kapiten dhe skuadra e mirëpriti këtë gjë. Deri tani Bushiç ka treguar se di ta bëjë mirë këtë gjë, në fushë dhe jashtë saj, në marrëdhënie me tifozët, shokët e skuadrës, ekipin kundërshtar e trupat e gjyqtarëve. edhe pse në jo pak raste ndeshjet e Flamurtarit kanë pasur tension, kundërshtime e ndëshkime jo pak të diskutuara. Aq e vërtetë është kjo, sa shpesh tifozët vlonjatë e thonë me plotë gojën “Bushiç është më shumë se një lab i vërtetë”. E pra, të gjithë këto tregojnë se sulmuesi kroat i Flamurtarit tek skuadra vlonjate dhe në qytetin e Vlorës ndihet si “lab”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image