Tango me dy hapa, Higuain “deh” Milanin!

0

Duhet një Higuain magjik për të dalë me pikë të plota nga “San Siro” dhe rikthyer në krizë Milanin e Montelës, që vetëm pak ditë më parë fitoi 4-1 në Verona, ndaj Kievos. Bardhezinjtë zhvillojnë një ndeshje tepër cinike, duke shënuar dy herë dhe duke u rrezikuar në vetëm pak raste. Madje, fakti më i rëndësishëm është se nuk pëson gol, pasi në dhjetë javë kishte pësuar dhjetë gola. Dy herë “El Pipita” ndëshkon në dy pjesë kuqezinjtë, duke e çuar në kuotën e 28 pikëve “Zonjën”. Për vendësit, Kaliniç godet traversën, ndërsa raste të tjera të rrezikshme nuk janë parë, sidomos në pjesën e dytë, ku miqtë e drejtuar nga Alegri kanë menaxhuar. Për Milanin, humbja e pestë në këtë kampionat në 11 javë dhe vendi i katërt që vazhdon të qëndrojë larg me rrezikun që diferenca të shkojë më shumë se 10 pikë.

Zgjedhjet – Montela bën vetëm dy ndryshime. Abaten në krah të djathtë dhe Musakion në stol, duke aktivizuar në vend të tij Zapatën me Romanjolin në qendër. Borini kalon nga e majta, teksa në qendër të mesfushës janë Kejsi dhe Bilia. Në sulm, Suso dhe Çalhanoglu duke mbështetur Kaliniç. Alegri, sakaq, hedh më të mirët, duke lënë vetëm Sandron në stol dhe besuar Asamoah në krah. Rugani dhe Kielini në qendër teska përpara katërshja Kuadrado, Manxhukiç, Dibala dhe Higuain, me Kedira Pjaniç në mesfushë.

Pjesa e parë – Ndeshja nis me ritme të shpejta dhe të bukura, me kuqezinjtë që mbajnë topin dhe Juventusi që përpiqet të qëndrojë mbrapa, për të shfrytëzuar hapësirat. Shkëndija e parë është e djemve të Montelës, të cilët rrezikojnë portën e Bufonit me Kaliniç, por kroati nuk godet siç duhet brenda zonës dhe i jep mundësi bardhezinjve të spastrojnë zonën. Në minutën e 13-të është Pjaniç ai që me goditje dënimi provon të trembë kuqezinjtë, por Romanjoli në barrikadë devijon në goditje këndi. Kuadrado kroson për në qendër dhe Higuain për pak sa nuk mbërrin. Bardhezinjtë luajnë më mirë, teksa Dibala godet nga jashtë zone, duke gjetur përgjigjen e Donarumës.  Goli duket në ajër dhe është Higuain ai që  e realizon. Dibala shërben për “El Pipitën” në qendër. Argjentinasi stopin dhe me një prekje, gjen këndin perfekt, duke e çuar me të djathtën aty ku portieri kuqezi nuk mbërrin dot. Eshtë goli i 100-të në Serinë A për sulmuesin. Kaliniç për pak nuk mbërrin në krosimin e Borinit në krah. Milani është edhe i pafat, pasi devijimi me kokë i Kielinit pas krosit të Susos e çon topin ngjitur me shtyllën pingule të Bufonit. Nuk ndodh asgjë deri në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Kaliniç, pasi Rodrigez kroson dhe Çalhanoglu e prek me kokë, sheh në këmbët e tij topin për të dërguar në rrjetë, por Bufon bën mrekullinë dhe topi prek traversën. Kthehet dhe Çalhanoglu godet me kokë, por Rugani devijon me trup në goditje nga këndi.

Pjesa e dytë –  Edhe në pjesën e dytë, kuqezinjtë e nisin mjaft fort, por nuk arrijnë të çajnë mbrojtjen bardhezi, teksa Kaliniç provon, por Lihtshtajner devijon. Montela provon të ndryshojë diçka dhe hedh në fushë Lokateli dhe Antoneli, por asgjë nuk ndryshon. Madje, në një aksion model, sërish me Dibala protagonist, vjen goli i dytë i Higuainit: vello e Dibalasë, finte e çmendur e Higuainit që lë në vend Rodriguezin dhe një e djathtë e fortë që çon topin në rrjetë.  Më pas, Juventusi e ka të lehtë të menaxhojë dhe lëvizë topin, deri në fund, kur arbitri Damato vërshëllen dhe merr topin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image