“Skënderbeu ishte dëshira ime”, Koliçi flet për sezonin: Kemi objektivat tona

Skënderbeu aktualisht nuk ndodhet në një pozicion të favorshëm në renditje, ndërsa edhe dënimi i UEFA-s ka bërë që shumë të mendojnë se motivimi për korçarët të jetë tepër i vështirë. Për këtë temë ka folur edhe numri një i portës së juglindorëve, Enea Koliçi, i cili iu bashkua ekipit në verë.

Ky i fundit ka treguar për “Supersport” se ardhja në Korçë ka qenë tërësisht dëshira e tij, edhe pse ofertat për të nuk mungonin. Gjithashtu ka hedhur poshtë fjalët se Skënderbeu nuk ka objektiva, ndërsa ka shtuar se të gjithë lojtarët e kanë të qartë se duhet të përmirësohen në pjesën e mbetur të sezonit.

“Nuk jam penduar për këtë zgjedhje. Ka qenë dëshira ime. Kam pasur edhe oferta të tjera nga Superliga dhe nga jashtë vendit por ka qenë zgjedhja ime që të zgjidhja Skënderbeun. Normal që nuk është Skënderbeu siç ka qenë dikur, por kjo nuk do të thotë që nuk është një ekip i madh.

Nuk mund t’i thuash Dejvi Bregut ose Gripshit ose Krasniqit që janë lojtarë me perspektivë për të ardhmen luani pa objektiva. Normalisht që kemi objektivat tona. Do vazhdojmë deri në fund dhe atëherë do të bëjmë llogaritë.

Të mos përsëriten ato gabimet e vitit të kaluar, ku kemi pasur shumë haluçinacione dhe besoj të gjithë jemi në një vijë, që duhet të përmirësojmë pak lojën, të jemi më të kujdesshëm dhe të mos përsërisim dy fazat e para”, ka thënë Koliçi./Sport Ekspres/